TIRANE- Kreu i Departamentit të Shëndetësisë në Partinë Demokratike, Tritan Shehu ka denoncuar atë që ai e quajti mashtrimin publik me paketat e mjekimit tek privati, që qeveria tenton ta shesë si risi.

Në një dalje para mediave, Shehu tha se Departamenti i Shëndetësisë në Partinë Demokratike ka filluar të funksionojë dhe është organizuar takimi i parë. Sipas Shehut, ky departament po organizohet edhe në nivel degësh. Më tej, Shehu tha se praktikat për mjekimin tek privati, kanë ekzistuar por ato nuk janë zgjidhje, pasi janë të kufizuara dhe detyrimisht do të shoqërohen me kosto për pacientin.

“Qeveria e majtë këto ditë po tenton të shesë si një “risi”, pak paketa mjekimi në disa institucione private. Kjo nuk është një risi, por mashtrim ndaj publikut. Të tilla paketa ka vite që aplikohen si për dializën, duke zgjidhur një problem të madh, për trapiantet renale, implantin koklear, etj. Është një proces tashmë i filluar prej vitesh në bashkëpunim me privatin dhe i financuar nga Fondi i Sigurimeve, dhe jo një risi. Më në fund socialistët po e pranojnë rolin partner të privatit në sistemin tonë shëndetësor, mbasi e anatemoi atë!!”, ka thënë Tritan Shehu.

Ai sqaroi problematikën që vjen nga kjo paketë, ku sipas tij nuk respektohet e drejta e pacientit për të zgjedhur shërbimin.

“Ky është sot një proces gjysmak e konfuz. Nuk respektohet e drejta e pacientit për të zgjedhur shërbimin mjekësor të konvencionuar që ai dëshiron. Kështu procedura është ekstremisht e centralizuar. Janë përfshirë shume pak patologji. Për çdo patologji, përfiton një numër shumë i vogël të sëmurësh.
Privati ka shumë më tepër kapacitete. Është një fishekzjarr.
Nuk arrijnë të bëjnë privatin pjesë integrale të sistemit shëndetësor.
Vlerat e pagesave për shërbimin e ofruar janë shumë të përgjithshme”, tha Shehu.

Më tej, kreu i Departamentit të Shëndetësisë në PD, tha se paketa paguese është e cunguar. “Nuk llogariten ekzaminimet e ditë qëndrimit para operacionit. Nuk llogaritet ditë-qëndrimi mbas operacionit. Llogariten vetëm dy ditë terapi intensive krejt të pa mjaftueshme. Nuk llogariten e nuk pranohen të shtohen shpenzimet për komplikacionet e mundshme mbas operacionit. Për këto procedura shoqëruese të domosdoshme, duhet t’i paguaje pacienti tek institucionet private”, u shpreh Shehu.

Ai tha se “Politikanët e majtë duke mos pasur guxim të pranojnë publikisht spekulimin me gënjeshtrën e “shëndetësisë falas”, në këtë vendim ndalojnë bashkëpagesën legale logjike”.

“Stimulojne kështu “bashkëpagesën” e paligjshme. Financimet për realizimin e këtyre paketave vijnë nga kontributet direkte të qytetarëve, ose nga taksimi i përgjithshëm. Asgjë nuk ka falas, aq më shumë shëndetësia. Qeveritarët e majtë ta pranojnë këtë e të orientohen drejt politikave zhvilluese për financimin e sistemit shëndetësor. Këto tentativa nuk zgjidhin problemet e mëdha të sistemit. Të ecësh kështu do të thotë të ecësh me “hapat e breshkës”. Vendi ka nevoje për ritme të tjera zhvillimi”, përfundoi Shehu.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb