Nënkryetarja e PD, Jorida Tabaku, ju bëri thirrje të gjithë demokratëve, por edhe shqiptarëve, që të votojnë kandidatët e Partisë Demokratike në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.

E ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, Tabaku foli për dëmtimin që koalicioni i Sali Berishës “Shtëpia e Lirisë” i ka bërë PD-së, teksa u shpreh se Partia Demokratike nuk është në ditët më të mira, por që do të ringrihet, ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën.

“Nuk të gënjej dot dhe të të them se PD sot është më e fortë se kurrë, por di të them se PD do të bëhet e fortë. Ka një forcë të jashtëzakonshme të PD, ka një energji të jashtëzakonshme për ndryshim PD, për t’iu përshtatur nevojave që kanë qytetarët. Në fund të fundit, neve do na votojnë qytetarët, jo ndërkombëtarët”, u shpreh deputetja.

Ndër të tjera, nënkryetarja e PD, Jorida Tabaku, tha se nuk e parashikon dot vendimin që mund të marrë Gjykata Kushtetuese për Presidentin Ilir Meta, ndërsa theksoi se e konsideron përpjekjen për shkarkimin e Kreut të Shtetit si “pjesë të luftës politike të ditës”. Lidhur me çështjen e integrimit të Shqipërisë në BE, Tabaku u shpreh se tre vitet e fundit qeveria nuk ka bërë asgjë, dhe një gjë të tillë, sipas saj, e pranojnë edhe parnterët ndërkombëtarë.
Pjesë nga intervista:

A do t’i ulin votat e demokratëve aleanca “Shtëpia e Lirisë”, a do ta dëmtojnë PD-në?

Tabaku: Këtë duhet ta provojmë, këtë nuk e di, do ta provojë terreni, por unë di të them që përfituesi i vetëm sigurisht do të jetë PS. Unë gjykoj që të gjithë votat e demokratëve duhet të shkojnë për kandidatin e PD dhe për këtë ju bëj thirrje të gjithëve. Pushteti lokal është pushteti i vetëm ku ti voton për veten tënde, voton për atë që do të të shërbejë, dhe Vora është ndryshe, nuk është si Durrësi, Shkodra, që janë bashki të mëdha. Vora varet shumë nga bashkia. Është një bashki me 30 mijë banorë.

Mendoni se PD do ta marrë Vorën?

Tabaku: Nuk bëj dot parashikime të të them se ne do të fitojmë me 100%. Për të qëndruar me këmbë në tokë, kandidati i PD është favorit nga sondazhet tona. Për të qëndruar me këmbë në tokë di të them se në terren njerëzit kanë një perceptim ndryshe nga ai i rrjeteve sociale dhe i zhurmës së përditshme të politikës. Njerëzit thonë se duan dikë që t’iu shërbejë. Do ta provojmë më 6 mars se çfarë do të ndodhë. Është një situatë ndryshe ku ndodhet PD, por di të them se është një situatë shumë më pozitive nga ajo që transmetohet në media. Është një fushatë që ne po e bëjmë derë më derë. Në Vorë ka një dinamikë tjetër, njerëzit kanë nevojë të flasin me kandidatët, drejtuesit politikë, kanë nevojë të flasim dhe për shqetësimet e tyre.

Edhe në Parlament situata është ndryshe, ku Basha e Berisha tani janë të ndarë…

Tabaku: Unë e kam përjetuar me shumë trishtim 8 janarin. Jam rritur në PD, e konsideroj atë si të vetmen shpresë për shqiptarët. Besoj te parimet e PD, te forca e ndryshimit që PD dhe te standardet që kemi vënë në këtë parti. Unë nuk e përdor gjuhën e sulmit as ndaj kundërshtarit, unë përpiqem të flas me argumente. Unë në politikë jam për fakte e argumente dhe nuk e pranoj gjuhën e retorikës. Për mua kundërshtari i vetëm është Edi Rama dhe do vazhdojë të mbetet ai. Besoj që në fund të ditës të gjithë e shohin me fakte që e keqja e vetme e këtij vendi është Edi Rama. Unë kaq mund të them për këtë.

Kandidatët me siglën e LSI nga ana e Berishës, që merr pjesë në këto zgjedhje. Si e pritët këtë?

Tabaku:
Nuk do të kisha dashur të ishte një betejë ligjore, por është një betejë ligjore në fakt. Komisioni i Rithemelimit nuk ekziston në letra, në KQZ dhe KQZ mori një vendim të drejtë, megjithëse mendoj se nuk duhet të ndodhte ai diskutim në KQZ, ishte i kotë. Të gjithë e kuptojnë se ishte një debat i humbur. Unë di të them perceptimin e qytetarëve, të cilët më thonë se do të votojnë PD-në.

Po përdorimi i siglës së PD?

Tabaku: Nuk më duket normale. Kemi eksperienca të tilla, por nuk dua t’i përmend fare se cilët kolegë, të cilët më pas u rikthyen në PD.
Sa e ka dëmtuar PD-në e gjithë kjo situatë?
Nuk të gënjej dot dhe të të them se PD sot është më e fortë se kurrë, por di të them se PD do të bëhet e fortë. Ka një forcë të jashtëzakonshme të PD, ka një energji të jashtëzakonshme për ndryshim PD, për t’iu përshtatur nevojave që kanë qytetarët. Në fund të fundit, neve do na votojnë qytetarët, jo ndërkombëtarët. Sigurisht që ne e kemi mbështetjen e ndërkombëtarëve. PD e ka forcën për t’u ringritur, jemi ringritur në momente më të vështira, që ka pasur PD në të shkuarën.
Do doja një koment për presidentin, Gjykata Kushtetuese është tërhequr për vendim, mendoni se do të shkarkohet?
Nuk e parashikoj dot vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk e di çfarë vendimi do të marrë. Di të them se z. Meta për çështjen për të cilën po shkon para drejtësisë, ka marrë një vendim, për shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 2019, që unë në atë kohë e kam gjykuar të drejtë. E konsideroj thjesht pjesë të luftës politike të ditës, që po zhvillohet tashmë në Parlament, jashtë tij, në gjykata dhe në çdo institucion tjetër. Kam dështuar shumë herë kur kam parashikuar vendimet e gjykatave, ndaj nuk dua të dështoj sërish.

Si do të ishte Ilir Meta i rikthyer në LSI?

Tabaku: Unë nuk e komentoj dot, punët e veta i dinë vetë ata. Unë gjykoj të flas për punët e PD-së dhe të ardhmen e PD-së.
Përballja me Xhaçkën e Mazin në Komisionin e Integrimit për integrimin e Shqipërisë…
Ka një mungesë vullnet politik total nga ana e qeverisë në këtë proces. Në tre vite nuk kanë bërë asgjë, po fshihen pas vetos bullgare. Të gjithë partnerët ndërkombëtarë, kushdo që flet me komisionin, e pranojnë që qeveria në këto 3 vite, jo se ka bërë gjë në 5 vitet e mëparshme, por në këto vite ka demotivuar edhe gjithë administratën publike. Nuk dinë të bëjnë një progres-raport, një plan veprimi. Unë në emër të opozitës kam treguar vullnet për t’i lëvizur gjërat dhe për të treguar një vullnet të munguar nga ana e qeverisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb