Deputetët e PDK-së dhe Aleancës kanë kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar qeverisjen e tij për regres politik, dobësim të pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe dështime në sektorë të rëndësishëm, përfshirë energjinë.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se mungesa e stabilitetit të brendshëm politik është reflektuar drejtpërdrejt edhe në pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
Sipas Hoxhajt, që nga viti 2019, qeveritë e Kosovës nuk kanë treguar vullnet dhe ambicie të mjaftueshme për të avancuar subjektivitetin ndërkombëtar të vendit.
“Politika e jashtme është veç zgjatim i politikës së brendshme. Nëse s’ka politikë të brendshme, s’ka as politikë të jashtme”, ka deklaruar Hoxhaj për EO.
Ai ka thënë se Kosova nuk ka arritur të sigurojë njohje të reja, anëtarësime në organizata ndërkombëtare apo të avancojë drejt statusit të kandidatit për Bashkimin Evropian.
“Kosova në këto shtatë vitet e fundit, prej 2019-ës e deri më tash, realisht nuk ka pasur politikë të jashtme dhe kjo gjendje tregon për mjerimin politik në të cilin është Kosova”, ka thënë Hoxhaj.
Ish-ministri i Jashtëm ka kritikuar edhe marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, për të cilat pretendon se kanë dëmtuar shtetin e Kosovës dhe kanë krijuar hapësirë për funksionimin e dy sistemeve politike.
“Nëse ka pasur një goditje që e ka këputur në kurriz, që ka goditur në palcë shtetin e Kosovës, është marrëveshja e Brukselit e Ohrit”, ka deklaruar ai.
Hoxhaj ka pretenduar gjithashtu se marrëveshjet u kanë dhënë serbëve në Kosovë një autonomi të zgjeruar dhe se disa prej elementeve të tyre janë zbatuar në mënyrë të njëanshme.
