Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar pas njoftimit të Kryetarit të Kuvendit për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin më 15 prill 2026, për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Sipas Partisë Demokratike e Shqipërisë, shqyrtimi i kësaj çështjeje në këtë moment, pa u zbardhur vendimi i Gjykatës Kushtetuese e Shqipërisë, përbën një “akt të paprecedent” dhe bie ndesh me parimet e shtetit ligjor.

Në reagimin e saj, opozita e cilëson këtë veprim si injorim të autoritetit të Gjykatës Kushtetuese dhe cenim të besimit publik tek vendimet e saj, duke e konsideruar njoftimin e Kryetarit të Kuvendit si antikushtetues.

REAGIMI
Kryetari i Kuvendit ka njoftuar sot thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për në datë 15.04.2026, ora 12:00, me rend dite: “Shyrtimi i projektvendimit “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Ky njoftim bëhet në kushtet kur projektvendimi përkatës përfshinë dispozita që janë shfuqizuar njëzëri nga Gjykata Kushtetuese, duke injoruar autoritetin e kësaj të fundit dhe në shkelje të parimeve bazë të funksionimit të shtetit ligjor.

Secili qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe partnerët tanë ndërkombëtar kujtojnë se për 3 muaj, Kryetari i Kuvendit z. Niko Peleshi refuzoi të thërriste mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të ish-Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, me arsyetimin se po priste zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me një kërkesë të Kryeministrit që nuk kishte asnjë lidhje me çështjen që shqyrtonte Kuvendi i Shqipërisë.

Ndërkohë që në rastin konkret, edhe pse rendi i ditës është qartësisht i lidhur me zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të njoftuar në datën 23 Shkurt 2026, Kryetari i Kuvendit ka ftuar deputetët në mbledhje, pa pritur zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo praktikë bie ndesh me nenin 132 të Kushtetutës dhe provon edhe njëherë vullnetin e mazhorancës për të injoruar zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Duke e konsideruar këtë akt si të paprecedent, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, dënon me forcë provokimin e Kryetarit të Kuvendit z. Niko Peleshi dhe e konsideron njoftimin e bërë prej tij për të mbledhur Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ende pa u njoftuar vendimi i zbardhur i Gjykatës Kushtetuese, si një veprim antikushtetues, që cënon parimet bazë të shtetit ligjor dhe cenon besimin e publikut tek autoriteti i padiskutueshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

  • foto galeri

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: