TIRANE- Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka publikuar listën e plotë të dokumenteve që nevojiten për përfitimin e pensionit të pleqërisë. “GSH” publikon sot kushtet e përfitimit të pensionit, shumën bazë dhe shtesë, si dhe kushtet kur atë mund ta kërkoni para kohe.

“Nëqoftëse një përfitues kërkon pension të reduktuar 20 muaj para mbushjes së moshës për pension të plotë pleqërie, nga pensioni i plotë mujor i llogaritur, që mund t’i caktohet 10.000 lekë, do t’i zbritet 12% (që del nga prodhimi i 20 (muaj) që e ka përfituar më shpejt pensionin e pleqërisë me 06%, që është koeficienti i miratuar”, shpjegon Instituti i Sigurimeve.
PENSIONI I PLEQERISE
1. Baza ligjore: a) Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. b) Udhëzimi nr. 2, i ISSHsë, datë 05.10.2005 “Për llogaritjen dhe indeksimin e bazës së vlerësuar dhe pagës neto për efekt pensioni”. c) Rregullore nr. 1, e ISSHsë, datë 19.10.2009 “Mbi administrimin dhe llogaritjen e pensioneve”.
2. Kushtet e përfitimit: Personat që kanë periudha sigurimi, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të plotë të pleqërisë kur: a) Plotësojnë moshën 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë, si dhe të kenë plotësuar: – 35 vjet periudhë sigurimi. – Të jenë tërhequr nga veprimtaria ekonomike. b) Nënat që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë mbi 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 50 vjeç dhe kanë 30 vjet periudhë sigurimi. c) Për periudhën e tranzicionit, për moshën e daljes në pension, zbatohet neni 92, i Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
3. Dokumentacioni: Për të përfituar pension të plotë pleqërie përfituesi ose i autorizuari me prokurë paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (ALSSH) të vendbanimit, sipas regjistrimit në gjendjen civile, për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit të pleqërisë. Përfituesi për pension të plotë pleqërie ose i autorizuari me prokurë, së bashku me kërkesën duhet të paraqesë dhe dokumentet e mëposhtme: a) Dokumentet që vërtetojnë moshën dhe identitetin: – Fotokopje e letërnjoftimit elektronik, ose certifikatë lindjeje me fotografi. – Certifikatë e gjendjes familjare – certifikatë martese (vetëm për aplikuese femra). – Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, duhet të paraqitet edhe certifikatë e veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje, për fëmijët që nuk figurojnë në certifikatën e gjendjes familjare. – Dy fotografi. b) Dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë: – Libreza e punës. – Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj. – Vërtetim për periudhën e sigurimit, e lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas VKM. – Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (nëse shikohet e arsyeshme). – Vërtetim i vjetërsisë në punë për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore, para vitit 1992. – Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj). – Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët. – Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna). c) Për personat që përfitojnë nga Ligji nr. 7514, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë” duhen edhe: – Vërtetim i gjendjes gjyqësore. – Vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik. – Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë. – Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qënien në punë. d) Dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara: – Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994). – Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive. 4. Masa e pensionit të plotë të pleqërisë: Masa mujore e pensionit të plotë të pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë e pensionit iu jepet të gjithë personave të siguruar. Shtesa që iu jepet personave të punësuar është 1% për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që i siguruari ka arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributive. Shuma e përgjithshme e pensionit do të jetë jo më shumë se dyfishi i shumës bazë, ose 75% e pagës neto mesatare të 3 viteve rresht, në 10 vitet e fundit të punës të personit të siguruar, cila të jetë më e vogël. Pensioni bazë përcaktohet me VKM.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në Gazeta Shqiptare)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: