TIRANË-Një javë para se të japë dorëheqjen nga posti i Ministrit për t’ju përkushtuar garës elektorale për Bashkinë e Tiranës ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj ka nënshkruar një marrëveshje pensionesh për shqiptarët që jetojnë në Kanada. Në një deklaratë për mediat Veliaj theksoi se nga kjo marrëveshje do të përfitojnë 20 mijë shqiptarë.
“Pas një negociate dy vjeçare që filluan qysh javët e para kur unë mora detyrën si ministër sot kemi përfunduar marrëveshjen me Kanadanë për pensionet. Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë 20 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kanada.”- u shpreh Veliaj.
Më tej ai theksoi se në 8 vite qeveria e kaluar nuk nënshkroi asnjë marrëveshje pensionesh me shtetet e tjera. “Në 8 vite të qeverisë së kaluar ishin 0 marrëveshjet me vendet e huaja për pensionet. Deri tani kemi pasur 8 marrëveshje; me Turqinë, Belgjikën, Luksemburgun, Kanadanë, Maqedoninë. Jemi në rangun e fundit të negociatave me Austrinë. Me vjen mirë që kemi hapur negociatat me Italinë dhe jemi në proces të hapur me Gjermaninë.
Në fushën e pensioneve kemi pasur një rekord. Mbetet sfidë marrëveshja me Greqinë. Greqia nuk ka pasur vullnetin mirë për të hapur negociata. Në momentin që vendi fqinj të rimëkëmbet ekonomikisht të jetë në kohën e duhur për të hapur negociatat.”- u shpreh Veliaj. Më tej ai bëri të ditur se ditën e mërkurë do i dorëzojë dorëheqjen nga posti i ministrit kryeministrit Edi Rama.
AZILKËRKUESIT, VELIAJ: NUMRI MË I MADH I TË LARGUARVE JANË NGA KOMUNAT QË MENAXHOHEN NGA PD
I pyetur për akuzat e opozitës lidhur me largimin në masë të shqiptarëve drejt vendeve të BE për të kërkuar azil politik Veliaj u shpreh se pjesa më e madhe e të larguarve janë nga komunat që aktualisht menaxhohen nda drejtues të opozitës.
“Sipas INSTAT largimet kanë 67 mijë veta në vit tani jemi 43 mijë vete. Duke aspiruar që të ndërtojmë më shumë të ardhme në Shqipëri, nuk dua të politizoj por më rezulton që nga komunat që po menaxhojnë këta që bërtasin më shumë po largohen më shumë. Para se të drejtojë gishtin duhet të reflektojnë pak. Varfëria nuk lindi me një ditë.”- u shpreh Veliaj.
(a.n/BalkanWeb)
