Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar se rreth 140 ushtarakë amerikanë janë plagosur që nga nisja e luftës kundër Iranit më 28 shkurt. Në një deklaratë të publikuar të martën, Pentagoni bëri të ditur se shumica e lëndimeve janë të lehta dhe një pjesë e madhe e ushtarakëve tashmë janë rikthyer në detyrë.
“Që nga fillimi i Operacionit ‘Epic Fury’, rreth 140 anëtarë të forcave të armatosura amerikane janë plagosur gjatë 10 ditëve të sulmeve të vazhdueshme”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell. Sipas tij, shumica dërrmuese e plagëve janë të lehta dhe 108 ushtarakë janë rikthyer tashmë në detyrë, ndërsa tetë të tjerë mbeten të plagosur rëndë dhe po marrin trajtim të specializuar mjekësor.
Deklarata e Pentagonit erdhi pasi agjencia e lajmeve Reuters raportoi, duke cituar dy zyrtarë amerikanë të paidentifikuar, se rreth 150 ushtarakë ishin plagosur gjatë 10 ditëve të para të konfliktit.
Ndërkohë, ushtria amerikane ka konfirmuar edhe viktima nga sulmet iraniane në rajon. Sipas të dhënave zyrtare, shtatë ushtarakë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve, ndërsa të hënën u raportua edhe vdekja e një ushtaraku tjetër në Kuvajt për shkak të një “incidenti shëndetësor”.
