Zv/presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka reaguar lidhur me rritjen e çmimit të naftës në Shqipëri, duke theksuar se barra kryesore mbi qytetarët vjen nga niveli i lartë i taksave.

Ajo shton se aktualisht çmimi i naftës ka arritur në rreth 2000 lekë të vjetra për litër, çka do të thotë se me 20 mijë lekë qytetarët mund të furnizojnë automjetin me vetëm rreth 10 litra. Xhixho thekson se në mungesë të taksave, me të njëjtën shumë do të mund të bliheshin rreth 25 litra, pra më shumë se dyfishi.

Ajo shpjegon se rreth 60% e çmimit të naftës përbëhet nga taksat, duke nënvizuar se për çdo 2000 lekë të paguara, afro 1200 lekë janë detyrime fiskale dhe vetëm pjesa tjetër i përket produktit.

Në këtë kuadër, Xhixho bën me dije se Partia e Lirisë ka propozuar në Kuvend pezullimin e taksës së qarkullimit dhe të karbonit, si masa që sipas saj do të sillnin ulje të menjëhershme të çmimit.

Reagimi i plotë
Sot çmimi i naftës ka shkuar në 2000 lekë të vjetra për litër. Nëse furnizoni makinën me 20000 lekë te vjetra , do të mbushni rreth 10 litra. Por nëse nafta nuk do të kishte taksa, me të njëjtën shumë do të mund të mbushnit rreth 25 litra. Pra, me të njëjtat para, makina juaj do të kishte më shumë se dyfishin e naftës.

Arsyeja është e thjeshtë: rreth 60% e çmimit të naftës përbëhet nga taksat. Kjo do të thotë se për çdo 2000 lekë që paguani, rreth 1200 lekë te vjetra janë taksa, ndërsa pjesa tjetër është vetë nafta.

Për këtë arsye, kemi propozuar në Kuvend pezullimin e taksës së qarkullimit dhe të karbonit, si masa që do të ulte menjëherë çmimin e naftës.

Mos harroni: me rritjen e çmimit të naftës, rriten edhe çmimet e produkteve bazë si buka, mielli, vaji, orizi dhe çdo produkt ushqimor. Historia e bordeve të dështuara nuk është zgjidhje; e vetmja zgjidhje është ulja e taksave.

Mos harroni: sa herë mbushni makinën me naftë, nuk po paguani vetëm për naftën, por edhe për 7 taksat.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb