Qytetarët e Kievit, ashtu si ata të qyteteve të tjera ukrainase, kanë kaluar shumë gjatë tre viteve e gjysmë të luftës. Të fortë dhe të qëndrueshëm, ata tani po përballen me një rrezik të ri: sulme të mëdha dhe të koordinuara nga ajri, me qindra dronë dhe raketa që godasin shpesh një qytet të vetëm.
Natën e kaluar ishte radha e Kievit – ashtu si javën që shkoi.
Dronët iranianë të tipit Shahed, dikur një risi, janë bërë tashmë një tingull i njohur për ukrainasit – një zhurmë e frikshme që shumë e krahasojnë me avionët bombardues gjermanë të Luftës së Dytë Botërore.
Tingulli i tufave të dronëve i ka kthyer edhe banorët më të fortë në strehimore, metro apo parkingje nëntokësore – për herë të parë që nga fillimi i luftës.
“Shtepia u tund sikur të ishte prej letre,” tha Katya, një banore e Kievit, pas bombardimeve të rënda të natës së kaluar. “E kaluam gjithë natën në banjë.”
“Shkova për herë të parë në parking,” rrëfeu një tjetër banore, Svitlana. “Ndërtesa lëkundej dhe pashë zjarre përtej lumit.”
Sulmet nuk shkaktojnë gjithmonë viktima, por ato po përhapin frikë dhe po dobësojnë moralin. Pas një sulmi mbi një bllok banimi në Kiev javën e kaluar, një gjyshe e tronditur, Mariia, tregoi se nipi i saj 11-vjeçar, i strehuar me të, i kishte thënë se për herë të parë e kuptoi çfarë është vdekja.
Frika e tij është e justifikuar. Misioni i OKB-së për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut në Ukrainë (HRMMU) raportoi se qershori ishte muaji me numrin më të lartë të viktimave civile në tre vitet e fundit: 232 të vrarë dhe mbi 1,300 të plagosur.
Shumë prej tyre ndodheshin pranë vijës së frontit, por jo pak ishin në qytete larg luftimeve.
“Rritja e sulmeve me raketa dhe dronë me rreze të gjatë veprimi ka sjellë vdekje dhe shkatërrim të madh edhe për civilët larg vijës së frontit”, deklaroi Danielle Bell, drejtuese e HRMMU.
Dronët Shahed tani fluturojnë më lart dhe sulmojnë nga një lartësi më e madhe. Rrezja e tyre ka arritur deri në 2,500 km dhe mund të mbajnë një ngarkesë shpërthyese prej rreth 90 kg – pothuajse dyfishin e kapacitetit fillestar.
Ekspertët lokalë në Ukrainë kanë hartuar harta që tregojnë lëvizjen e këtyre dronëve, shpesh në rrugë të ndërlikuara për të shmangur mbrojtjen ajrore. Shpesh, gjysma e tyre janë vetëm mjete mashtruese për të hutuar sistemet mbrojtëse të Ukrainës.
