Analisti Ergys Mërtiri u shpreh gjatë takimit që ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji zhvilloi sot me intelektualët se po të bjerë Edi Rama ose Sali Berisha, atëherë rrëzimi do të ishte i përbashkët, pasi të dy mbajnë në këmbë njëri-tjetrin për interesa të ndërsjella.
Mërtiri u shpreh se konflikti mes dy figurave kryesore politike është një “dialektikë false” e krijuar për konsum publik, ndërsa në thelb, sipas tij, skena politike mbahet peng nga një përplasje që nuk ekziston realisht. Ai pretendon se, pavarësisht retorikës së fortë, palët në fund bashkëndajnë përfitimet e pushtetit, si në qeverisje ashtu edhe në opozitë.
Sipas analistit, ndryshimi i kësaj situate kërkon angazhimin e të rinjve dhe krijimin e një platforme të re politike. Ai theksoi se një rol kyç në këtë moment ka SPAK, i cili, sipas tij, për herë të parë ka vënë në vështirësi sistemin politik.
Mërtiri e cilësoi këtë si një “shans të artë” për ndryshim, duke theksuar se pa një institucion të tillë, sistemi do të ishte i pamundur të rrëzohej për shkak të kontrollit mbi institucionet. Në fund, ai bëri thirrje për reflektim dhe për një rreshtim kundër modelit politik që, sipas tij, ka mbajtur peng vendin për më shumë se tre dekada.
Ergys Mërtiri: Këtu nëse njëri prej të dyve, Rama ose Berisha bie, këtu bien të dy. Dhe të dy e kanë kuptuar se duhet mbajtur tjetri me qëllim që të qëndroj unë. Nëpërmjet kësaj dialektike fals të krijuar për konsum publik, mbahet peng skena politike, është uzurpuar nga një konflikt që nuk ekziston. Bëjnë sikur ndeshen dhe në fund bashkëndajnë tavën e pushtetit, të mirat e të qenurit në pushtet dhe opozitë. Duhet një platformë nga të rinjtë, sepse për herë të parë sistemi ka mundësi të bjerë falë SPAK. Pa këtë ky pushtet nuk mund të rrëzohet sepse kanë në dorë çdo gjë. Në momentin që e krijuan ndërkombëtarët një institucion që është vënë përballë sistemit, sistemi tashmë ka një avari. Dhe ky është një shans i artë që duhet shfrytëzuar. Të rinjtë për herë të parë kanë një mundësi ta rrëzojnë këtë sistem sepse kanë pas një forcë të madhe që u jep krah për ta rrëzuar. Ky është momenti për një reflektim të madh dhe për t’u rreshtuar në anën e duhur kundër kësaj lloj politike që për 35 vite e ka mbajtur peng vendin.
