Që nga 13 nëntori 2025, mijëra punonjës të kompanisë japoneze Japan Airlines (JAL) do të kenë mundësinë të veshin atlete gjatë punës, në një nismë që synon të përmirësojë komfortin dhe mirëqenien e tyre.
Ndryshimi përfshin ekuipazhin e kabinës së gjashtë linjave ajrore të Grupit JAL, si dhe rreth 14,000 punonjës të shërbimit të aeroportit, në 56 aeroporte në Japoni dhe 40 jashtë vendit, duke përfshirë edhe punonjësit e kompanive partnere.
Kujtojmë se më parë kodi i uniformës kërkonte këpucë të larta prej lëkure të zeza ose taka klasike, tani stafi mund të zgjedhë atlete të zeza të thjeshta, për të zvogëluar sforcimin fizik dhe për të përmirësuar qëndrueshmërinë gjatë turneve të gjata në këmbë.
Nisma është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të JAL për të përmirësuar kushtet e punës. Më herët këtë vit, kompania kishte prezantuar bluza me jakë të hapur dhe jelekë sigurie me ventilatorë të integruar për stafin e aeroportit gjatë muajve të nxehtë veror.
