Te Tirana po punohet në hije për afrimet. Para disa ditësh, u mësua se Tirana ka kontaktuar me portierin e Rabotniçkit, Igor Aleksovskin, që të veshë dorezat bardheblu. Burime në kampin bardheblu bëjnë me dije se kanë qenë vetë drejtuesit e skuadrës, të cilët kanë kontaktuar si me klubin dhe lojtarin, nëse është i gatshëm për të bërë transferimin në kryeqytetin shqiptar.
Ende nuk ka një vendim final, por duket se Aleksovski do të jetë portieri i Tiranës për sezonin 2025- 2026. Futbollistit i mbaron kontrata në 30 qershor dhe ai është i lirë për të qenë pjesë e bardhebluve. Lojtari këtë sezon numëron 32 takime si titullar, duke qenë në fushë 2880 minuta.
Tirana kërkon edhe Esat Malën. Lojtari ka shënuar 7 gola dhe ka dhënë edhe 12 asiste, duke qenë nga më të mirët. Bardheblutë mund t’i mbushin mendjen për ta pasur në ekip. Në lojë për prizrenasin është edhe Egnatia si dhe Partizani, ndonëse me këta të fundit mesfushori nuk është ndarë mirë. Po kështu, Ardit Deliu një vit më parë ishte bardheblu, por la kryeqytetasit për Vllazninë. Përfundimi i kontratës në Shkodër mund ta riveshë sërish bardheblu.
I fundit është Melos Bajrami. Futbollisti besohet të jetë pjesë e bardhebluve, nëse largohet nga Shkodra dhe Tefik Osmani emërohet drejtor i 26 herë kampionëve. Gjithsesi, të shohim se çfarë do të ndodhë, cilat do të jenë lëvizjet e Tiranës dhe a do të ketë mundësi të “zhgrapë” ndonjë gjë te Vllaznia. Po kështu, Tirana ka testuar lojtarë si Zejnullai, Tresa, Kordeiro e ndonjë tjetër, nëse këta të fundit janë të gatshëm të vishen bardheblu.
