Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se shumë shpejt qeveria do të ndërmarrë një akt normativ që do të prekë sektorë strategjikë si uji i pijshëm dhe furnizimi me naftë, me synimin për të rritur kontrollin shtetëror dhe për të përshpejtuar rrugën drejt integrimit europian.

Në lidhje me sektorin e ujësjellësit, Rama bëri të ditur se qeveria po synon të krijojë një operator kombëtar të shpërndarjes së ujit, sipas modelit të ndjekur në sektorin e energjisë.

Sipas Kryeministrit, përmirësimet nga bashkimi i disa operatorëve ekzistues janë të pamjaftueshme dhe është koha për të kaluar në një model kombëtar të menaxhimit të ujit dhe të mbetjeve. Ai shtoi gjithashtu se po punohet për ngritjen e një sistemi të ri të furnizimit me naftë, ku shteti do të ketë një rol të drejtpërdrejtë në realizimin e kontratave dhe garantimin e furnizimit.

Edi Rama: Shumë shpejt për këtë dhe për ujin e pijshëm do të na duhet të bëjmë edhe akt normativ, 83 votat do t’i vëmë në shërbim të qytetarëve që kërkojnë një kapërcim përfundimtar nga kalimi i Shqipërisë europiane në zemër por jo në realitet, në Shqipërinë anëtare në BE.

Të gjithë ata që ishin në skuadrën e 11 majit, të zgjedhur apo jo në Kuvend, do të jenë pjesë e skuadrës që do të përfaqësojnë vendin në BE. Duhet jenë aty për të qenë aty e për të adresuar të gjithë problematikat.

Jemi të sigurt që duhet të kalojmë në një fazë tjetër për shërbimin me ujë dhe duhet të krijojmë operatorin e shpërndarjes së ujit njëlloj si për energjinë, duhet një korporatë e re që të adresojë problemin e investimet, problemet me donatorët dhe fragmentarizimit të burimit dhe menaxhimit që pas 30 e ca kusur vitesh të presim të na sjellë rezultatin e dëshiruar, edhe pse ka përmirësime nga bashkimi i operatorëve, por që janë të pamjaftueshme dhe nuk mund të rrimë të presim. Për ujin dhe menaxhimin e mbetjeve, duhet të kalojmë në nivel kombëtar.
Po punojmë intensivisht për një sistem të ri të furnizimit të naftës, domosdoshmëri dhe mundësi për të kaluar edhe te furnizimi i naftës me një komponent të ri të shtetit si protagonist në realizimin e kontratave dhe furnizimin me naftë. Që mendojmë se do të sjellë një kontroll më të madh në çmimin dhe qarkullimin e naftës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb