Raportimi i kreut të SPAK, Altim Dumani në komisionin e Ligjeve, dhe përballja që pati me deputetë të opozitës, është diskutuar në pjesën e dytë të emisionit “Open” në News24. Përballjen më të fortë Dumani e pati me deputetin Flamur Noka, që ngriti aludime përmes pyetjeve, se Dumani si kryetar i SPAK është nën komandën e Kryeministrit Edi Rama.

Politologu Fitim Zekthi tha se politika duhet të lërë drejtësinë të bëjë punën e saj.

“Flamur Noka është në konflikt interesi në përballjen me SPAK, pasi kryetari i partisë së tij, është në hetim nga SPAK.

Çfarëdo që të bëj SPAK, sikur të bëjnë edhe mrekulli, sërisht Noka dhe deputetët e partisë që drejtohet nga Berisha, do të jenë në pozitë të vështirë.

SPAK sikur të arrestojë të gjithë kriminelët, sikur të vendosë Botën në paqe, Flamur Noka nuk mund ta thotë dot, se është në konflikt interesi”, tha Zekthi.

Por eksperti i Sigurisë, Avenir Peka, tha se problemi që Noka dhe deputetët e PD-së, ngritën si shqetësim nuk ka lidhje me hetimin, por me masën e sigurisë.

“Sali Berisha është person që po hetohet, por nuk ka asnjë akuzë, që t’i vendoset një masë sigurie”, tha Peka.

Sipas tij, hetimi ndaj Berishës ka nisur pas kallëzimit të Taulant Ballës, por SPAK po e heton për korrupsion, gjë që nuk kishte lidhje me kallëzimin e bërë nga Balla.

“Erion Veliaj a është person nën hetim sot? Ai është në detyrë, as nuk u largua, as iu vendos ndonjë masë sigurie”, tha Peka.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb