Të shumtë kanë qenë të rinjtë, që i janë bashkuar sot manifestimit për sigurinë e vajzave në Rrëshen dhe gjithë Shqipërinë. Brenda pak ditësh u bënë publike dy rastet e abuzimit me të mitur, ndërkohë që vetëm dje gjykata dha “arrest me burg” për 5 persona nga 17 vjeç deri në 44 vjeç.

Mësohet se qytetarët kanë mbërritur në Rrëshen nga qytete të ndryshme të vendit, të cilët kanë filluar marshimin nga sheshi kryesor dhe më pas i janë drejtuar Komisariatit të Policisë së Mirditës.

“Përdhunimi është krim”, “nuk ka marrëdhënie pa dëshirë, por vetëm përdhunim”, “bashkë kundër përdhunimit”, “përdhunimi i vetmi krim ku akuzohet viktima”, “vajzat në rrezik, shteti asgjëkundi”, ishin disa nga pankartat që mbanin në duar të rinjtë.

Dom Gjergj Meta, ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, tha se ne i jemi bashkuar kësaj kauze të rëndësishme për të hapur një perspektivë ndryshe ndaj grave dhe vajzave.
“Ne i jemi bashkuar kësaj nisme me gjithë zemër dhe shpresojmë që të jetë një mesazh sensibilizues. Me faktet konkrete shpresojmë të merret shteti.

Fatkeqësisht do të thoja se shpeshherë zgjohemi vetëm kur ndodhin gjërat, por duhet bërë një punë e përditshme, me këta të rinj, që të kenë respekt për njëri-tjetrin. Të respektosh trupin e tjetrit, vullnetin e tjetrit, lirinë e tjetrit, dhe aq më tepër kur tjetri është i mitur”, u shpreh Dom Gjergj Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb