Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me iniciale Xh.D., nga fshati Dubravë i Ferizajt, i cili gjendet në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunimi” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga data 01 e deri më 02 maj të vitit 2024, në një motel në Ferizaj, i pandehuri Xh.D., me dashje e detyron të dëmtuarën – si viktimë e ndjeshme për shkak të aftësive të kufizuara mendore, që e njëjta të kryej akt seksual pa pëlqim.

“Fillimisht i pandehuri e josh të dëmtuarën përmes rrjetit social ‘Facebook’ që të takohen, ku e dëmtuara i bindet të pandehurit dhe i njëjti e hip në veturë dhe duke e parë dhe qenë i vetëdijshëm për gjendjen e saj psikike, me të njëjtën veturë e dërgon të dëmtuarën në motel në Ferizaj dhe gjatë kësaj kohe e detyron të dëmtuarën që të kryejë akt seksual disa herë dhe ndaj saj ushtron edhe dhunë fizike, duke i shkaktuar lëndime trupore dhe në fund, i pandehuri me të njëjtën veturë që kishte marr të dëmtuarën e dërgon në të njëjtin vend ku e kishte marr  dhe e lë në rrugë, me çka ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale ‘Dhunimi’ nga neni 227 paragrafi 4 nën paragrafi 4.2 dhe 4.7 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë, shkruajnë mediat e Kosovës.

Sipas njoftimit, prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur të shpallet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet dhe të dënohet sipas ligjit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: