TIRANE– Pas denoncimit të shtetases amerikane, rezidente në Tiranë, për përdhunim kamerierin e një bari ku ajo kishte qëndruar disa orë, rreth një javë më parë u vu në pranga i riu. “Panorama” raporton se në lidhje me ngjarjen, është vënë në pranga shtetasi 20-vjeçar, me iniciale F.A. Ai gjatë dëshmisë në polici pranon se ka kryer marrëdhënie seksuale me gruan 17 vjet më të madhe se ai, por, sipas tij, gjithçka ka ndodhur me pëlqimin e saj.

Ai nuk pranon të ketë ushtruar dhunë seksuale, duke përsëritur se kanë kryer marrëdhënie, por pa kundërshtimin e gruas, ndryshe nga denoncimi i të huajës. Nisur nga rrethanat e ngjarjes, por edhe fakti se ka kaluar shumë kohë nga momenti kur ka ndodhur, një oficere policie e ka shoqëruar shtetasen e huaj në Mjekësinë Ligjore, ku ajo ka kryer ekzaminimet e nevojshme.

Burimet thanë se, edhe pse ka kaluar shumë kohë, 37-vjeçarja amerikane kishte disa shenja të dukshme dhune në trup, por do të jetë mjeku ligjor ai që do të përcaktojë kohën e saktë se kur janë shkaktuar dhe në çfarë rrethanash. Deri atëherë i riu do të mbahet i arrestuar me akuzën “marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb