Irani ekzekutoi sot publikisht një burrë të dënuar për përdhunimin e dy grave në provincën veriore Semnan, njoftoi gjyqësori i vendit.

Burri, identiteti dhe data e dënimit të të cilit nuk u bënë të ditura, u ekzekutua në qytetin Bastam pasi Gjykata e Lartë konfirmoi vendimin, sipas medias zyrtare të gjyqësorit, Mizan Online.

Sipas kreut të gjyqësorit rajonal, Mohammad Akbari, të cilin e citon Mizan, i ekzekutuari “kishte mashtruar dy gra”, të cilat më pas i kishte përdhunuar “duke ushtruar dhunë dhe detyrim”.

Ai gjithashtu kishte përdorur “frikësim dhe kërcënime” për t’i bërë viktimat të druheshin se reputacioni i tyre mund të dëmtohej.
Republika Islamike, e cila kryen shumicën e ekzekutimeve me varje, është vendi i dytë në botë për numrin e ekzekutimeve pas Kinës, sipas organizatave për të drejtat e njeriut, përfshirë Amnesty International.

Zakonisht, ekzekutimet kryhen brenda burgjeve, por dy javë më parë Irani kishte kryer një tjetër varje publike ndaj një burri të dënuar për vrasje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb