Dy burra janë shpallur fajtorë nga drejtësia britanike për përdhunimin e një gruaje në Barking Park, në lindje të Londrës, teksa ajo ndodhej aty me partnerin e saj për të vëzhguar yjet.

Ngjarja ka ndodhur më 16 gusht të vitit të kaluar. Sipas provave të paraqitura në gjykatë, gruaja dhe partneri i saj, të cilin e kishte njohur përmes një aplikacioni takimesh, ishin ulur në park kur Khan Agha dhe Nurullah Ahmadzai iu afruan.

Dy të pandehurit dyshohet se i lidhën çiftin dhe kërcënuan me thikë burrin, duke e paralajmëruar se do ta vrisnin nëse do të telefononte policinë. Më pas, gruaja u sulmua seksualisht.

Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një “përdhunim të tmerrshëm nën kërcënimin e thikës”, ndërsa gjatë gjyqit u paraqitën prova që lidhnin dy burrat me krimin.

Dy të pandehurit u identifikuan përmes gjurmëve të ADN-së të gjetura në rrobat e viktimës. Juria rrëzoi gjithashtu pretendimin e njërit prej tyre se marrëdhënia seksuale kishte qenë konsensuale dhe, pas rreth nëntë orësh shqyrtimi, i shpalli fajtorë.

Ahmadzai kishte mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar me një varkë të vogël në gusht 2023 dhe ishte sistemuar fillimisht në një hotel në Londër gjatë procedurës së azilit. Kërkesa e tij për azil është refuzuar dhe ai ka nisur procesin e apelimit.

Ndërkohë, Agha, i cili gjithashtu kishte hyrë ilegalisht në Britani, pretendoi gjatë gjyqit se ishte i mitur në kohën e sulmit. Gjykata kërkoi një raport të posaçëm për përcaktimin e moshës së tij, pasi dokumentet gjyqësore tregonin një moshë tjetër.

Dënimi përfundimtar i dy burrave pritet të shpallet në tetor. Autoritetet britanike po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë e deportimit të tyre pas përfundimit të dënimeve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb