Universiteti “Luarasi” është i pari universitet në Shqipëri që do të ofrojë 3 programe studimi të Shkollës Ekonomike të Londrës për gjimnazistët e rinj, shqiptarë dhe të huaj, konkretisht, programet e studimit Financë, Business & Management dhe Data Science & Business Analytics.
Zv/rektorja e universitetit “Luarasi”, Ani Dasho tha se të studiosh në universitetin “Luarasi” që është një qendër e ekselencës së universitetit të Londrës, në drejtimin akademik të LSE nuk ka asnjë ndryshim me diplomën që lëshohet në Londër po nga ky institucion prestigjioz.
Sipas saj, pas 3-viteve të studimit, studentët do të kenë dy diploma, atë të Londrës dhe të “Luarasit”.
“Një tjetër përfitim për studentët, është se ata do të jetojnë pranë familjeve të tyre në Shqipëri, duke reduktuar në zero koston e jetesës, këtë diferencë shumë të madhe që ata do e kishin në Londër.
Dhe e treta stafi i mrekullueshëm i universitetit “Luarasi” i cili ka aplikuar, licencuar, certifikuar do të jetë prezent në të tre këto programe me lektorë të huaj jo vetëm nga Londra, por dhe nga partnerët tanë në vendet e Ballkanit Perëndimor në lëndët më të rëndësishme të këtyre 3 programeve”, tha zv/rektorja Dasho.
Më tej, zv/rektorja Dasho tha se të rinjtë maturantë që do të zgjedhin një nga 3 programet e LSE në universitetin “Luarasi”, do të jenë studentë primarë të universitetit të Londrës.
Ata do të jenë pjesë e një rrjeti ndëruniversitar, kanë një akses falas në të gjithë bibliotekat e 17 universiteteve që janë pjesë e universitetit të Londrës.
“Ajo që është më e rëndësishme do të ketë një konkurs për të qenë pjesë e summer school ku cdo gjë do të jetë falas nga universiteti i Londrës dhe do të fitojë më i miri.
Diploma është e lëshuar nga universiteti i Londrës dhe është e njëjtë sikur ta merrje në Londër.
Partnerët që kanë marrë të drejtën dhe janë licencuar e akredituar janë universiteti “Luarasi” pra diploma është e njëjta, ajo që e përforcon është fakti që pavarësisht se lektorët janë shqiptarë dhe lektorët e huaj, në fund tezat e provimit vijnë nga Londra dhe korrigjohen nga ekspertë të Londrës dhe diplomat do të tërhiqen në Londër, pas 3 vitesh të studimit”, tha Dasho.
Zv/rejtorja e “Luarasit” theksoi se të rinjtë mund të marrin një diplomë britanike nga LSE pa lëvizur nga Shqipëria.
Dasho tha se i gjithë programi do të jetë në anglisht dhe pedagogët janë çertifikuar nga universiteti i Londrës.
Sipas saj, universiteti “Luarasi” do të ofrojë qasje moderne, laboratorë digjitalë të cilat janë të njëjtë si në Tiranë dhe dhe në universitetin e “Londrës”.
Universiteti “Luarasi” ka vënë në dispozicion të prindërve e të rinjve që duan të studiojnë në një nga këto 3 programe, informacione të detajuara përmes një ekipi që është 24/24 në shërbim të prindërve dhe të rinjve, qoftë online apo ë ambientet e universitetit “Luarasi”. “Kurrikula është e pandryshuar dhe është në dispozicion të studentëve e pedagogëve, librat janë pjesë e librarisë dhe janë online dhe s’kanë kosto ekstra, stafi akademik prej marsit është në trajnim të vazhdueshëm.
Unë do jem një nga lektorët e një prej programit, kurrikula është e këndshme dhe i afrohet kërkesës që tregu evropian e botëror ka në lidhje me inteligjencën artificiale”, tha zv/rektorja e universitetit “Luarasi”, Ani Dasho.
(BalkanWeb)
