Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, u takua me drejtuesin e SPAK, Klodjan Braho, në kuadër të përgjegjësive të Ministrisë së Drejtësisë për funksionimin e sistemit të drejtësisë.
Në qendër të bisedës ishte bashkëpunimi ndërinstitucional në disa drejtime kyçe, që sipas ministrit lidhen me përmirësimin e kuadrit ligjor, forcimin e kapaciteteve institucionale, mbështetjen infrastrukturore dhe rritjen e efikasitetit të sistemit.

Sipas Ministrit Gogu, një nga pikat kryesore të bashkëpunimit do të jetë adresimi i boshllëqeve ekzistuese ligjore, përfshirë çështje që lidhen me statusin e prokurorëve, kompetencat proceduriale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Po ashtu, në fokus mbeten edhe koordinimi në nivel politikash publike, si dhe konsolidimi i standardeve e praktikave që garantojnë siguri juridike dhe besim publik.

Ministri e vlerësoi SPAK-un si një institucion kyç në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke e lidhur rolin e tij jo vetëm me forcimin e shtetit të së drejtës, por edhe me avancimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Gogu theksoi se bashkëpunimi me SPAK dhe të gjitha institucionet e drejtësisë do të mbështetet në respektimin e plotë të ndarjes së pushteteve dhe të pavarësisë së institucioneve, duke nënvizuar se qëllimi është një sistem drejtësie më funksional, më i besueshëm dhe më efikas për qytetarët.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: