Një zjarr ka rënë në ish fushën e grumbullimit të mbetjeve urbane në Lushnje. Zjarri që i ka dalë nga kontrolli një fermeri që po digjte mbeturina në tokën bujqësore është përhapur me shpejtësi nga era e fortë.
Përmasat e zjarrit i rritën frikshëm duke mbuluar të gjithë ish fushën e mbetjeve urbane të qytetit e cila është ngjitur me banesat në lagjen 18 tetori. Tymi dhe smogu mbuluan gjithë zonën përreth ndërkohë që 4 ekipet e zjarrfikëseve të bashkisë Lushnje si dhe efektivë të policisë së shtetit të ndihmuar edhe nga banorët me mjete rrethanore nuk kanë lejuar flakët të përfshijnë banesat.
Momentalisht zjarrfikësit e kanë vënë nën kontroll zonën e përfshirë nga flakët dhe nuk ka rrezik për banesat. Uniformat blu kanë identifikuar autorin e zjarrvënies dhe janë në kërkim të tij. Pavarësisht izolimit të flakëve fusha e mbetjeve vazhdon të jetë nën monitorimin e zjarrfikësve.
(BalkanWeb)
