Prej disa ditësh dhe deri në datën 3 prill 2023 qytetarët e shtatë bashkive të qarkut të Elbasanit, duhet që t’i drejtohen laboratorëve private për të marrë shërbim.

Kjo situatë e pazakontë dhe mjaft problematike ka ardhur pasi laboratori mjekësor i specialiteteve në Elbasan është mbyllur përkohësisht për të gjithë pacientët e zakonshëm.

Për ta aktualisht nuk shërbehen më reagentë ndërsa qytetarët duhet që t’i drejtohen klinikave private duke paguar një kosto mjaft të kushtueshme dhe kjo sipas tyre është pamundur të përballohet financiarisht.

Laboratori i analizave të Spitalit Rajonal të Elbasanit është dhënë me koncesion që në vitin 2021 dhe aktualisht qytetarëve nuk do t’u shërbehet deri më 3 prill për shkak se fondi ka përfunduar i planifikuar.

Sipas mjekut Luan Rrapi, nëndrejtor teknik për Shërbimet Shëndetësore në Spitalin Rajonal të Elbasanit kjo situatë problematike ka ardhur për shkak të shtimit me ritme të paparashikuara të personave me sëmundje kronike dhe sidomos të shtimit të rasteve me kancer.

Në total deri në ditët e fundit të muajit mars në këtë laborator janë kryer 17,875 analiza, një shifër kjo mjaft e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të shkuara.

Por pavarësisht situatës problematike, kryerja e analizave për urgjencat, shtrimet dhe të sëmurët kronikë nuk është ndërprerë asnjëherë.

Për kronikët natyrisht në kushtet aktuale si në çdo spital po aplikohet planifikimi. Ndërkohë që Kontrollet e Check Up vijojnë normalisht për t’u rikthyer normaliteti në ofrimin e shërbimit të kryerjes së analizave duhet akorduar një fond prej 20 mln lekë (të rinj). Ky laborator u shërben banorëve të bashkive Elbasan, Librazhd, Përrenjas, Gramsh, Belsh, Peqin dhe Cërrik.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb