Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe Kryetari i Bashkisë së Prrenjasit Nuri Belba inspektuan përfundimin e punimeve të unazës në Rrajcë, rreth 5 km, rreth e rrotull fshatit Rrajcë të Prrenjasit

“Kemi mbajtur një angazhim të kahershëm kundrejt popullit të Rrajcës, për t’ja ndryshuar faqen kësaj zone, e cila për shumë vite nuk kishte marrë investimet që duhen.

Unaza prej 5 km, ishte e domosdoshme sepse kanë qenë investime shkel e shko të bëra para shumë viteve, por asnjëherë unaza nuk ishte konceptuar si e tillë dhe janë disa qindra familje që u vjen në ndihmë.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe KFW e kanë vendosur këtë zonë në prioritet. Shumë shpejt marrim në dorëzim ujësjellësin i cili zgjidh një nga problemet më të mëdha që ka pasur Rrajca. Brenda këtij viti në Rrajcë janë investuar disa milionë euro të cilat kanë rritur cilësinë e jetesës në këtë zonë. Tashmë investimi i radhës do të jetë ai për rikonstruksionin e shkollës së mesme” -deklaroi Balla.

Ndërsa Kryetari i Bashkisë, Nuri Belba në fjalën e tij vuri në dukje investimet e tjera në zonës e Rrajcës.

“Jam shumë i kënaqur që më në fund kemi finalizuar një projekt shumë të rëndësishëm. Prej kohësh kjo rrugë kishte shfaqur probleme. Falë bashkëpunimit me Fondin Shqiptar të Zhvillimit ne arritëm t’u japim banorëve të Rrajcës një rrugë me parametra bashkëkohore. Investimet nga Qeveria Shqiptare në këtë fshat nuk kanë munguar. Këtë vit kemi shumë projekte që po finalizohen, por edhe të tjera që janë në vazhdim. Përfundon së shpejti investimi në ujësjellësin Gurrat e Zeza, i cili është një investim shumë i konsiderueshëm,” -tha Belba.

Rrajca është një nga fshatrat më të mëdhenj të Prrenjasit, i pozicionuar buzë aksit nacional Librazhd-Qafë Thanë dhe ku popullësia nuk është shpërngulur, por vazhdon të ndërtojë jetën e saj në këtë fshat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb