Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, në një deklaratë për mediat në përfundim të mbledhjes së grupi Parlamentar të PS, ka deklaruar se në ditët në vijim do të bëhet institucionalizimi i dy komisioneve parlamentare.
“Në mbyllje të mbledhjes së grupit duhet t’ju informoj se grupi i PS do të institucionalizojë në ditët në vijim 2 nisma që kanë të bëjnë me ngritjen e dy komisioneve, një prej të cilave është komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Traditë tashmë prej shumë vitesh që në fillim të çdo legjislature grupi i PS ka qenë nismëtari i ngritjes së këtyre komisioneve të posaçme për reformën zgjedhore. Uroj shumë që komisioni të udhëhiqet nga interesi i përbashkët i të gjithë aktorëve politikë në Kuvend për të përmbyllur rekomandimet e OSBE-ODIHR ndër vite. Është bërë një punë e mirë me shumë ekspertë të atashuar”, tha ai.
