BALLSH

Përfundon pa sukses takimi i naftëtareve me përfaqësues të firmës, e cila pretendon se ka në administrim Uzinën e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh.
Naftëtarët theksojnë se gjatë takimit ka pasur premtime boshe dhe nuk është ofruar asnjë zgjidhje për pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës.

Kreu i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj, i pranishëm në takim bashkë me 5 specialistë të tjerë, ka konfirmuar se greva e urisë do të vazhdojë dhe paralel me të edhe protestat përpara uzinës dhe në qytetin e Ballshit.

Pjesë e takimit kanë qenë të njëjtët persona, të cilët u afruan në mjediset e uzinës rreth dy muaj më parë dhe që premtuan nënshkrimin e kontratave me punonjësit, proces që nuk u finalizua asnjëherë.

Sipas naftëtarëve, këto takime janë tentativa për të prishur grevën e urisë dhe për të ndaluar protestat e tyre, por pa marrë një zgjidhje konkrete janë të vendosur të vazhdojnë.

Kujtojmë se naftëtarët sot u futën me forcë në mjediset e uzinës dhe u ndalën edhe përpara godinës së boshatisur të administratës, për të treguar se kjo uzinë nuk ka pronar, ndaj kërkojnë ndërhyrje nga shteti për zgjidhjen e situatës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb