Është zhvilluar këtë të mërkurë, ceremonia përmbyllëse e Procesit të Rivlerësimit Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Kreu i KPA-së Sokol Çomo deklaroi se vettingu ishte një proces i vështirë. Gjithashtu shtoi se pavarësisht sfidave, ishte i domosdoshëm për Shqipërinë.
“Ishte një përvojë e vështirë, dhe e dhimbshme. Ishte etapë që nuk ishte e lehtë për vendin tonë. Por kjo etapë ishte e nevojshme. Ne krijuam kushtet që sistemi i drejtësisë të funksionojë mbi themele më të forta. Sot po shënohet mbyllja e kapitullit të tranzicionit. Shqipëria po futet në shinat e duhura të demokracisë funksionale. Sfida jonë e përbashkët është që përjashtimi të mbetet përjashtim e normaliteti të jetë garancia se do ketë drejtësi për qytetarët. Dua të falënderoj të gjithë ata që dhanë kontribut në procesin e vettingut. Një mirënjohje e veçantë i takon partnerëve tanë ndërkombëtarë, sepse ka qenë një partneritet i ndërtuar mbi vlera të përbashkëta. Një falënderim i shkon edhe ONM-së. Qëllimi ka qenë i përbashkët: forcimi i drejtësisë shqiptare”, tha Çomo
