MAQEDONI– Ka përfunduar takimi i liderëve politikë në Maqedoni, por asnjëri prej kryetarëve të partive nuk dha deklaratë për mediat. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ai i LSDM-së Zoran Zaev, i BDI-së Ali Ahmeti dhe kreu i PDSH-së Menduh Thaçi; mbaruan takimin e shumëpritur për të tejkaluar krizën politike në Maqedoni që parashikon se Qeveria aktuale duhet të bëjë urgjentisht reformat e nevojshme që i kërkon Brukseli.

Për takimin e sotëm të liderëve të katër partive më të mëdha politike në Maqedoni do të japë më pas detaje Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Shkup përmes një komunikate për mediat.

BE APELON PËR KONSTRUKTIVITET MES LIDERËVE NË MAQEDONI
Bashkimi Evropian pret konstruktivitet nga liderët e katër partive politike në Maqedoni. Maja Kocijancic, zëdhënësja e eurokomisionerit për zgjerim, Johannes Hahn deklaroi se BE pret rrjedhë konstruktive të takimit të katër liderëve të partive kryesore politike në Maqedoni. BE kërkon që liderët të bazohen në takimin e 2 qershorit, ku ata miratuan një marrëveshje të përbashkët për të nxjerrë vendin nga kriza politike.

“Është e nevojshme dhe në interes të vendit dhe qytetarëve që të arrihet një kompromis dhe se BE është e përgatitur për të ndihmuar”, deklaroi Kocijancic. Liderët politik ndërkohë kanë nisur takimin në Klubin e deputetëve ku janë edhe ambasadorët Jess Baily i SHBA-ve dhe Aivo Orav i BE-së.

Vazhdojnë negociatat
Në Shkup janë zhvilluar sot negociatat për zgjidhjen e krizës politike në vend.
Takimi ishte caktuar rreth orës 13:00 dhe ishin të pranishëm ambasadori amerikan Jess Baily dhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav.

Takimi është konfirmuar edhe nga kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev. “Në kuadër të këtij takimi ne do të shpalosim edhe një datë të rëndësishme. Por do të publikojmë edhe afatet se si do të lëvizim gjërat”, deklaroi Zaev në intervistën për televizionin “24Vesti”.

Këto negociata të reja vijnë pas dështimit të atyre të 10 qershorit në Bruksel kur liderët e katër partive VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH nuk arritën marrëveshje.

Këto parti parimisht kanë arritur një marrëveshje më 2 qershor për të shkuar në zgjedhje të parakohshme që do të zhvillohen në prill të 2016, por deri atëherë të realizohen disa detyrime që ka vendi përpara në planin e reformave dhe integrimeve evroatlantike.

(d.d/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: