Takimi ndërmjet kryeministrit të Kosova, Albin Kurti, dhe kryeministrit të Shqipëria, Edi Rama, në Prishtinë ka përfunduar pa konferencë për media.
Rama u prit me ceremoni shtetërore dhe gardë nderi në Qeveri, ndërsa takimi zgjati rreth një orë.
Në një postim në rrjetin social facebook, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se gjatë takimit me Ramën, u diskutuan për marrëveshjet bilaterale dhe për mundësitë e reja dhe si t’i shfrytëzojnë sa më mirë, si dhe për sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për t’i tejkaluar ato sa më lehtë.
“Mirëprita Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Diskutuam për marrëveshjet bilaterale që kemi dhe fushat se ku mund t’i shtojmë ato, për mundësitë e reja dhe si t’i shfrytëzojmë sa më mirë, si dhe për sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për t’i tejkaluar ato sa më lehtë.
Me mandatet tona të ripërtërira, përmes bashkëpunimit ndërqeveritar dhe ndërshtetëror, le t’u shërbejmë edhe më tej e më shumë qytetarëve në të dy republikat dhe kombit tonë mbarë”, thuhet në mesazhin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
