Në shtator 2005 një person u arrestua nga policia se kishte nxjerrë e shitur tezën e provimit për pranimin e maturantëve në një fakultet të njohur. Provat e dëshmitë, ku përfshiheshin edhe raporte miqësore mes të dyshuarit dhe disa nëpunësve të fakultetit, ishin rënduese e bindëse. Megjithatë prokuroria pas një viti e arkivoi çështjen pa ngritur akuzë. Mbasi plasi skandali unë, asokohe ministër i Arsimit, kërkova që universiteti e fakulteti të bënin një hetim administrativ të brendshëm, për të sqaruar rrethanat e përcaktuar masat e pasojat jashtë përgjegjësisë penale. Reagimi ishte që “ne nuk kemi pse të bëjmë gjë se e ka marrë në dorë prokuroria“; shto këtu edhe një kujtesë për “autonominë universitare”. Që atëhere e kam kujtuar gjithmonë këtë rast si shembull tronditës të papërgjegjshmërisë. Por për të shikuar pozitiven tek problemi mund të them se ky rast gjithashtu u bë një shtysë më shumë për të shpejtuar në vitin në vijim me provimin kombëtar të standartizuar (Matura Shtetërore) mbi bazën e të cilit menaxhohej pranimi i maturantëve në universitete (sistemi Meritë/Preferencë).

17 vjet më vonë evitimi i përgjegjësisë personale e institucionale ndër ofiqarët publike është ngjitur në maja ku është ntrashur nga koka tek vithet

Kryemnistri Rama për aferën e inceneratorëve ka deklaruar se ky projekt ka pastruar Shqipërinë nga plehrat dhe se edhe sot e kësaj dite do e bënte njëlloj siç e bëri. Ndërkohë  KM Rama nuk jep shpjegim për shkeljet ligjore, për faktin se inceneratorët nuk djegin ende plehrat, pra nuk mund të luajnë rol në pastrimin e ambjentit; as për qindra mijë euro taksa-pará që paguhen çdo muaj personave në kërkim nga drejtësia. Rama thotë se nëse ndonjë zyrtar ka ndyrë dorën pas shpinës së tij atëhere është krejt faji atij zyrtari dhe i askujt tjetër. Por sipas tij detyrën zbulimin e fajit (të dukshëm) e kanë të tjerë jashtë qeverisë. Gjithësesi, Rama ka folur duke shpjeguar qëndrimin e tij dhe gjithkush mund të gjykojë për rastin; e shumëkush mund të konkludojë se qeveriu i shmanget përgjegjësë individuale e institucionale në mos po rreket të mbulojë zullumin me shoshë.

Kush ka menduar se papërgjegjshmëria e rastit më lart është e patejkalueshme në fillim të këtij viti do të ketë konstatuar se për rilindistët nuk ka gjë të pamundur. Në 11 janar u arrestua sekretari i përgjithshëm dhe një drejtor në ministrinë e financave; akuza ishte se një personi privat që për një pretendim pronësie ishte dëmshpërblyer njëherë nga shteti me 2500 euro në vitin 2015  këta i akorduan sërisht në 14 shtator 2022 një dëmshpërblim të dytë 480 herë më të madh. Ky rast spikat jo vetëm nga banaliteti i artificit abuziv por edhe se në këtë nivel është rasti i dytë i arrestimit të ofiqarit në detyrë (rasti  i parë ishte i deputetit të inceneratorëve për firmosje, vini re, si sekretar i përgjithshëm ministrie). Por çfarë e bën këtë skandal vërtet pa precedent është që deri sot kur po shkruaj këto radhë, katër ditë mbas arrestimit, ministri i Financave, znj. Delina Ibrahimi nuk ka folur as edhe një gjysëm fjale për ngjarjen në ministrinë që drejton. As për të thenë që po i pezullojmë dy zyrtarët e arrestuar e  po bashkëpunojmë me prokurorinë dhe as për të thënë se i konsideron të pafajshëm vartësit e  viktimizuar nga intriga. Vetëm heshtje sikur të kishte ndodhur në një ministri në anën tjetër të rruzullit.  Gjë që nuk ndodh as në Zullulandin e Faik Konicës. Jo se ministrit i erdhi arrestimi si surprizë : në  28 dhjetor, e pyetur nga gazetarët për këtë hetim, ministri deklaroi se “sigurisht që jam në dijeni dhe Prokuroria do të bëjë punën e vet“. Për të vazhduar me shpjegimin shvejkian se “Ministria e Financave dhe Ekonomisë kryen pagesa, në funksionin e saj primar ka kryerjen e pagesave përmes Thesarit, për llogari të qeverisë”.

Në periudhën hetimore tetor-dhjetor kur ministri ishte në dijeni të hetimit mund fare kollaj përmes auditit të ministrisë ose një grup kontrolli të posaçëm të analizonte urdhër pagesën e 14 shtatorit dhe nëse e gjente të kundraligjshëm e anullonte atë dhe pezullonte e lironte nga detyra zyrtarët përgjegjës. Pa interferuar fare me hetimin penal. Ose minstri e quan normale që shteti të paguaje dy herë e kripur për të njejtën gjë e në këtë rast duhet të rreshohet përkrah të arrestuarve. Këtë ne nuk e dimë dhe nuk lipset të telepatisim Ibrahimin.

Por ajo që mund të themi me plot gojën është se heshtja e gjatë e ministrit për skandalin e shtëpisë ministrore është skandali më ekstrem. Edhe në Zululand nuk do të mbetej zulu pa protestuar në rrugë deri në dorëheqjen e ministrit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb