TIRANE – Gjashtë persona ranë në pranga pak ditë më parë gjatë një superaksioni antidrogë të ndërmarrë nga policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë dhe FNSH-në e Fierit. Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatrat Vezhdanisht dhe Treblovë (afro 2 orë larg zonave të banuara), janë gjetur dhe sekuestruar në gjashtë kasolle plot 2.000 rrënjë kanabis sativa në proces tharjeje si dhe 5.250 bimë të mbjella në një parcelë, ende e pakorrur. Policia shpalli në kërkim edhe agjentin e Antikrimit Ekonomik, Renaldo Avduli, i cili dyshohet se ishte pronar i 2 parcelave.
‘BalkanWeb’ ka mundur të sigurojë një pjesë të bisedave mes agjentit të policisë dhe pjesëtarëve të tjerë të grupit kriminal. Ata përdornin fjalitë “Të vjelim shalqinin se po na kalbet” që nënkuptonte domosdoshmërinë e korrjes se kanabisit, ndërsa kur blerësit ankoheshin për cilësinë e lëndës narkotike, ata njoftonin njëri-tjetrin me fjalinë “Nuk tërheq makina”.
Punonjësi i policisë informonte dhe garantonte kultivuesit e kanabisit se parcelat e tyre nuk do të prekeshin nga policia.
Në këtë veprimtari kriminale sipas prokurorisë janë të përfshirë agjenti i policisë Renaldo Avduli, Taulant Haxhiraj “Memi”, nipi i tij 18-vjeçar Xhovalin Bocaj, Shkëlqim Koçiaj “Çimi”, Arjan Hasanaj, Klajdi Imeri, Albert Aliaj, një person me emrin “Reshat”, nipi i tij “Xhoi”.
BISEDAT HAXHIRAJ-AVDULI 21 KORRIK
Nga përgjimet e kryera në datën 21 korrik 2016,Taulant Haxhiraj, komunikon me agjentin e policisë Renaldo Avduli, duke i transmetuar atij shqetësimin për të shtëna të dëgjuara pranë vendit ku qëndronte, e nënkuptuar parcela me lëndë narkotike.
Agjenti i policisë Renaldo, e qetëson duke i thënë se të shtënat nuk ishin nga ana e punonjësve të policisë pasi, pak momente me parë, ai kishte qënë me ta, duke pire kafe.
Haxhiraj: Ç’a bëhet këtej, bam-bum, kanë qysh qëpare,do pyesësh njëherë se e kam fikur atë telefonin.
Polici: Çfarë po qëllojnë?
Haxhiraj: Ee.
Polici: Për ku mo vlla, për ku, lart e?
Haxhiraj: Vajta qysh parë ktu edhe dëgjoj bam-bum, si luftë o vlla.
Polici: Nuk janë nga tanët,mo vlla, nuk janë se isha qëparë me ta o vlla,kam qënë në kafe qepare….
Polici: S’ke nga të mijtë aty, të keqen.
Haxhiraj: S’ka nga të tutë? Kushdo që të vijë… të ik pastaj.
Polici: Nuk ka more zotëri fare në botë.
Haxhiraj: Epo në rregull. Të sigurohem, prandaj të them se mund të jetë ndonjë këshu..:
Haxhiraj: O vëlla, pse do tallem unë. Kur bëjmë shaka bëjmë shaka, po këto gjëra janë me zarar.
Polici: O ti, thuaji atyre mos bëni zhurmë. Mos bëni zhurmë! Asnjëri, thuaju edhe atyre. Nejse nuk dua zhurmë aty tani se kuptohet e dëgjohet e kupton s’dua zhurmë, asnjë.
BISEDA HAXHIRAJ-AVDULI 22 KORRIK
Haxhiraj: Po se vajti vonë, vajti me 300 për kokë të fëmijëve. Do vejë akoma. Të paktën t’a mbyll tani se aq ka vajt, më tha edhe Ani mua, 300 lekë. 300 euro e ke parasysh ku e kam?
Polici: Ke ardhur poshtë apo je lart?
Haxhiraj: Kam ardhur…
Polici: Ç’a tha Ani? Kur i mbyll Ani ato?
Haxhiraj: Po Ani, mendoj edhe dy javë.
Polici: Ok, kur do vesh lart?
Haxhiraj: Unë pasnesër. Po erdhën ata nesër, do vete dhe nesër. Ti heq qafe edhe ok. Ik nesër merr 25 atje.
Polici: Ok.
BISEDA 24 KORRIK 2016
Taulant Haxhiraj komunikoi me një person dhe nga përmbajtja e bisedës, nënkuptohet se flasin për shitje lëndësh narkotike.
Haxhiraj: Ka ardh ai në Panaja
+457: Duan ashtu ata?
Haxhiraj: Po, tha jam këtu, unë i thash hajde këtu o vlla që të takoj. Po hajde këtu që të flasim. O vëlla hajde këtu që të marrësh makinën i thashë, po jo,hajde këtu të flasësh njëherë.
+457: Po ik o ik ndaji gjërat.
Haxhiraj: Çdo ndaj gjërat. Hajde ik se do iki jashtë shtetit i them unë. Do iki në Itali.
+457: Po mirë o shumë mirë i the.
Haxhiraj: Ai tjetri me tha, ik hiqe qafe e kupton?
BISEDA 24 KORRIK 2016
Taulant Haxhiraj komunikon me Renaldo Avdulin
Haxhiraj: Po hiç mo, erdhën ata, po përcjell një çikë ata. Polici: Mbaruat me ata?
Haxhiraj: Po mbarova, gërr-vërr, jo kështu po jo ashtu.
Polici: Pse?
Haxhiraj: Po nuk tërheq fare makina, po ça është kjo këshu po kjo ashtu.
Polici: Po mirë mo kthejë pas mos e çaj …
Haxhiraj: Po jo mo e morrën ata, po i përcjell. Po duhet të mbaroj me punën shpejt edhe me ato.
Polici: Me kë të keqen?
Haxhiraj: Me atë, e ke parasysh tek shalqiri, që kishte shalqi.
Polici: Ee…
Haxhiraj: Duhet t’a mbarojmë punën shpejt, nuk duron, nuk duhet të rrijë.
Polici: Ouuu….
Haxhiraj: Eeee…
Polici: Pse ça, fillon e prishet këshu?
Haxhiraj: Po, po ndryshon. E pashë, e pashë që atje që ka ndryshuar. HajdE se flasim kur të vijë vetë të rri këtej nga qyteti afër.
Polici: S’e harrova fare unë, po për lekët ju the atyre ti?
Haxhiraj: I thashë i thashë.
Polici: Çfarë thoshin?
Haxhiraj: Ja se po pres një shok që të vijë nga andej.
Polici: Po për kur bëhej fjalë? Për sot a kur?
Haxhiraj: Po jo ore, ka ik një shok në Greqi. Hajde se të sqaroj kur të vij o vlla.
Në 25 qershor 2016 Taulant Haxhiraj, bisedon me një person tjetër dhe sipas bisedës flasin për sasira të mëdha lëndësh narkotike, të mundshme për t’u trafikuar jashtë territorit shqiptar.
+457: Siç duket s’kanë ku ta çojnë atë edhe e duan në një kohë.
Haxhiraj: Po le t’a sjellin, presim në Dhjetor, Janar.
+457: Ka shumë këtej. Mbaje, masën…
Haxhiraj: Eeee.
+457: Mbase e çojmë andej të gjithë i q… motrën. Ik se jemi dhe në telefon po ik…
OPERACIONI ANTIDROGË NË VLORË
Operacioni antidrogë në Vlorë është finalizuar me prangosjen e gjashtë personave, të cilët u kapën teksa ishin duke konsumuar kafe në një lokal. Momenti i arrestimit të tyre ngjante me një skenë filmi, pasi sapo kanë hyrë policët e armatosur dhe të maskuar, njëri nga trafikantët është ngritur në këmbë. Blutë e Vlorës e kanë neutralizuar menjëherë dhe e kanë shtrirë në tokë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Vlorës pohuan se personat e arrestuar në lokal janë: Shkëlqim Koçiaj, 24 vjeç, banues në fshatin Dushkarak, Vlorë; Arjan Hasanaj, 43 vjeç, banues në Vlorë; Klajdi Imeri, 21 vjeç, banues në Vlorë; Taulant Haxhiraj, 35 vjeç, banues në Vlorë; Albert Aliaj, 53 vjeç, banues në fshatin Drizar, Mallakastër si dhe Xh.B., 18 vjeç, banues në Vlorë. Në vendngjarje, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 2 automatikë, 1 pushkë, 2 krehra me 60 fishekë të kalibrit 7.62 mm; veshje dhe sende të tjera të cilat shërbejnë si provë materiale. Ndërkaq, policia dhe prokuroria janë duke punuar intensivisht për zbulimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
(BalkanWeb)
