Publikohet një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese.

Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit.

Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Relacion sekret i Punëtorit Operativ të burgut të Burrelit, PIro Nuredini, lidhur me të dhënat biografike të të dënuarit Xhavit Qesja, si dhe pikëpamjet politike e qëndrimin e tij gjatë periudhës që ai vuante dënimin në atë burg dhe marrëdhëniet e raportet që ai mbante me të dënuarit e tjerë.

Pjesa e pesëdhjetë

Sekret

Burrel, më 26.11.1986

R E L A C I O N

Në vitin 1958 pas Kongresit të XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Konferencës së Partisë të vitit 1957 për Tiranën, Xhaviti duke qenë me studime në Bashkimin Sovjetik, shfaqi pikëpamjet e tij anti-parti, duke e quajtur qëndrimin e Partisë sonë në lidhje me Jugosllavinë e Poloninë, si një qëndrim jo të drejtë.

Për këto gabime, ai thirret nga Moska ku ishte me studime, në Komitetin Qendror të Partisë sonë, u këshillua, u largua nga studimet dhe u transferua në Elbasan, me detyrën e nënkryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Qarkut.

Pas këtyre veprimeve, Xhavit Qesja filloi të propagandojë kundër Partisë dhe vijës së saj politike, duke thënë se në vijën e Partisë sonë ka gabime, por këto gabime nuk njihen nga udhëheqja e saj, mbasi ka frikë se humbet postet që ka.

Qëndrimi i Partisë sonë, vazhdon ai, në marrëdhëniet me Jugosllavinë, nuk është i drejtë…! Partia ka gabime dhe këto janë jo më pak se ato në kohën e Kocit, gjë që faktohet me arrestimet e masat e shumta kundër personave që nuk janë armiq, si p.sh., Tukut, (Jakova. P.N.) Bedriut (Spahiut P.N.) etj.

Dënimi i Daliut (Ndreu P.N.), dhe i Lirisë (Gega P.N.) si njerëz agjentë të një shteti të huaj, është një akuzë përkundër Jugosllavisë…!

Njëkohësisht gjatë kësaj periudhe, Xhaviti krijoi lidhje shoqërore me dhe me një sërë elementësh antiparti, si: Agron Frashëri, Angji Faber, Nazmi Batalli, Aleko Kolaci, Xhevdet Petrela, etj.

Përsa sipër në vitin 1957, Xhaviti u muarr në përpunim aktiv 2/A për veprimtari anti-parti dhe në vitin 1958, u internua më Zvërnec të rrethit të Vlorës, ku edhe aty vazhdoi përpunimi i atij 2/A.

Duke qenë se në kampin e internimit në Zvërnec, Xhaviti e intensifikoi veprimtarinë e tij armiqësore duke propaganduar kundër vijës politike të Partisë dhe pushtetit popullor në radhët e të dënuarave, e në radhët e ushtarëve të këtij kampi, në vitin 1967 u arrestua, u dënua me dhjetë vjet heqje lirie, dënim të cilin erdhi për t’a vuajtur në Repartin 321 Burrel, qysh në atë kohë.

Gjatë vuajtjes së dënimit në këtë repart, Xhaviti u dënua me dhjetë vjet të tjera heqje lirie, për agjitacion e propagandë armiqësore, të zhvilluar në kushtet e vuajtjes së dënimit.

Gjatë vuajtjes së dënimit në Repartin 321 në Burrel dhe përpunimit që i’u bë Xhavitit, në ngarkim të tij dolën një sërë materialesh të tjera që vërtetonin qenien e tij në një veprimtari të organizuar armiqësore kundër udhëheqjes së Partisë, në bashkëpunim me elementët të tjerë anti-parti, e konkretisht:

“E burgosura Zyme Peza, lidhur me Xhavit Qesen, ka deponuar: Funksionari i Legatës jugosllave, Radevoji Geniç, më ka pyetur se, për çfarë arsye është kthyer nga Moska Xhavit Qesja dhe këtë unë desha ta mësoja. Unë i thashë se nuk di gjë, ndërsa më vonë, unë nuk pata mundësi se u arrestova”.

Në vitin 1961, Xhaviti i ka thënë bashkëpunëtorit “Shkumbini”, kur erdhi Tuk Jakova në Berat, unë isha sekretar i Komitetit të Partisë dhe meqenëse nuk mundja t’i flisja, kufizohesha vetëm me një përshëndetje me buzëqeshje. Kjo të ngelet midis nesh.

– I arrestuari Teme Sejko, në mars të vitit 1961, ndër të tjera ka deponuar: “…Në bisedat me Panajotin (Plaku. P.N.), unë kam sqaruar se në vend ekzistonte një opozitë në kundërshtim me udhëheqjen e Partisë dhe pushtetin, me të cilën ishte i lidhur edhe Panajoti.

– Panajoti më ka përmendur se opozita ishte goditur rëndë pas përjashtimit nga Komiteti Qendror të Tukut dhe Bedriut. Më ka treguar se në këtë punëra bënin pjesë: Hulsi Spoahiu, Tahir Kadareja, Pëllumb Dishnica, Myzafer Spaho, Xhavit Qesja dhe më vonë më ka treguar dhe për Dali Ndreun dhe Liri Gegën…”.

– Arratisjen e Panajot Plakut, Xhaviti e ka konsideruar si një akt trimërie dhe vepër të rëndësishme politike, duke thënë se: Panajoti do të sqaroj Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe do të nxjerr në shesh të palarat e Partisë sonë, etj.

– Bashkëpunëtori “Shkëlzeni” në 1961-in, ka informuar ndër të tjera se: në prag, gjatë dhe pas Kongresit të XXII-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Xhavit Qeses, Pëllumb Dishnicës, Maqo Çomos etj., u ishte ngritur shumë hunda, duke pritur përmbysjen në Shqipëri, aq sa, më 6 nëntor arritën të organizojnë një manifestim për të shprehur entuziazmin për sulmet e Hrushovit kundër PPSH-së, në të cilën foli Xhavit Qesja, duke ngritur gotën për Nikita Sergejeviç Hrushovin…! Xhaviti, Pëllumbi dhe Maqo, vazhdojnë të rrinë bashkë duke biseduar për të treguar se nuk u ka rënë morali, këndojnë këngë etj.

Në procesin e datës 16.3.1961, Tahir Demi ndër të tjera ka deponuar: “…Në mars të vitit 1957, Xhavit Qesja është caktuar nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv i K.P të rrethit të Elbasanit. Di që, Xhaviti ditët e para të ardhjes së tij në Elbasan, është takuar me Bedri Spahiun.

Mbasi u lidhën me Bedriun, Xhaviti më ka prurë një letër mua nga Bedriu, në të cilën më shkruante se Xhaviti është njeriu jonë, kështu që me të, mund të bisedoja lirisht. Xhaviti ishte në dijeni që Bedriu dhe Tuku, ishin në lidhje me Panajot Plakun, përkundër udhëheqjes së Partisë. Për lidhjet tona me Zbulimin Grek, nuk kemi biseduar”.

– Bashkëpunëtorit “Pëllumbi”, Xhaviti ndër të tjera i ka folur edhe në këtë mënyrë: “…Urrej shumë, jo vetëm Partinë tonë dhe sistemin socialist, por gjithë sistemin socialist e komunist të aplikuar deri tani në gjithë vendet e botës.

Unë dëshiroj një sistem socialist….të njëllojtë me vendet perëndimore Amerikë, Angli, Francë, Itali etj., ku në ekonomi të lozi rol kryesor fitimi personal…!

Po të shohësh me tendencat vetjake, despotike e aziatike, del figura e Timurlengut të shekullit të XX-të, të veshur me petkun e krye komunistit Stalin, që mbeti në histori si njeriu më barbar…!

Ne flasim për kushtetutën tonë si më e mira në botë, po a e di ti se në Angli nuk ekziston fare kushtetutë dhe në Angli ekzistojnë të gjitha bindjet politike…”?

Xhavit Qesja – thotë bashkëpunëtori “Pëllumbi”, po influencon mbi të rinjtë e burgosur….me pikëpamjet e tij antisocialiste e komuniste e properëndimore social-demokrate. Xhaviti me Bedriun, (Spahiu – P.N.), kanë një platformë.

– Ata thonë: më mirë 100 herë janë kriminelët e vendit, për udhëheqësit e Partisë dhe të shtetit tonë, se sa çizmja e gjakosur e muzhikut rus…! Xhaviti meqenëse studion shumë, ka influencë në të gjithë, me përjashtim të Maqos (Çomo – P.N.), Koços (Tashko- P.N.) e Dilaver (Radëshit-P.N.), të cilët kanë urrejtje të tërbuar për njëri tjetrin. Xhaviti është agjitator i stërholluar, di dhe nuhat tendencat e bashkëbiseduesit dhe e përpunon me marifet…!

– Në bisedat që ka bërë me bashkëpunëtorin “Beni”, pas goditjes së Beqir Ballukut, Xhaviti është shprehur me keqardhje për të, duke thënë ndër të tjera: “…Patjetër ka ngjarë diçka e rëndë me Beqirin.

Beqirin e njoh nga afër nga batalioni Krujë-Ishëm…është babaxhan, i thjeshtë…! Nuk është njeri i komploteve dhe prapaskenave…ndoshta ka vrarë veten! Ka qenë një nga shokët kryesore të udhëheqësit kryesor. Me udhëheqësin kryesor të qeverisë, nuk ka shkuar asnjëherë mirë”.

…Udhëheqësi kryesor nuk i beson udhëheqësit të shtetit, por e mban si dorë e fortë. Udhëheqësi kryesor i qeverisë, vetëm përfiton nga kjo, por edhe këtu, pa guxuar të dalë si flamurtar i situatës dhe për këtë ka mësues të mirë dhe dinake të shoqen…etj.

Bashkëpunëtori “Butrinti” në dhjetor të vitit 1981 (Mehmet Shehu, nuk e kishte vrarë veten – P.N.), thotë se: Xhavit Qesja na del se shpresën e ka në faktorin e brendshëm. “Ta ardhmen e shikoj në përparimin e vendit – thotë ai- në Universitetin, në Akademinë, në shkencën teknike, përvetësimi i dijeve shkencore nga rinia, kjo është ëndrra ime, këtu i kam shpresat. Vetëm kjo e atëhere do të bëj revolucion. Rinia do të shikojë e gjykojë me objektivitet edhe gjithë ngjarjet historike.

Në mensë është kërkuar e arrirë, që në emër të moskrijimit të tensioneve e shqetësimeve, të mos bisedohet. Iniciator ka qenë Xhavit Qesja dhe kjo është pranuar. (Xhaviti, duhet të dyshojë për vendosjen e mjeteve të Teknikës Operative në mensë).

Mbas cilësimit të Mehmet Shehut si armik, Xhaviti ka shtuar shumë bisedat dhe miqësinë me Maqo Çomon, Bardhyl Belishovën, Fadil Paçramin, Todi Lubonjën.

B – Bashkëpunëtori “I Penduari”, në tetor 1984, informon se të dënuarit antiparti në burgun e Burrelit, janë ndarë në dy grupime. Grupimi kryesor dhe që përfshin shumicën dërmuese, është i atyre që nuk kanë njohur dhe s’njohin të kenë asnjë fajësi dhe se e quajnë veten të dënuar padrejtësisht.

Në këtë grup hyjnë: Maqo Çomo, Bardhyl Belishova, Xhavit Qesja, Gjergj Titani, Fadil Paçrami, Gjin Marku, Todi Lubonja, Sadik Bekteshi, Vaskë Gjino, Arif Hasko, Andon Shehti dhe Abaz Fejzo. Ky është grupi kryesor, por edhe në këtë ka pikëpamje e mendime të ndryshme.

…Një pjesë e këtij grupi është me pikëpamjen se rruga dhe vija që ndjek Partia jonë, s’është e drejtë, është dogmatike, sektare, ose komunizëm aziatik, siç e ka quajtur Xhavit Qesja. Këta janë për një liberalizëm, ose për një “demokraci të vërtetë”. Këtu hyjnë: Todi, Fadili dhe Xhaviti.

I dënuari Hazbi Lamçe, më 10.1.1986, ka denoncuar se Gjergj Titani i ka thënë: “Kam zbuluar një gjë të madhe, se Xhavit Qesja, është spiun i italianëve. Këtë e mësova nga Elami Hadua, i cili më tha që më 1942-in, Elamiu dhe Xhaviti kanë qenë në burg të dy dhe Xhaviti, megjithëse ishte dënuar më shumë se Elamiu, doli shumë shpejt nga burgu, se ati ishte interesuar pranë Mustafa Merlikës, me pare apo me miqësi, nuk e di, por ky në fakt, doli nga burgu.

Nëna e Xhavitit, është motra e Kontit Ferra në Itali dhe nga kjo ne mendojmë se familja e Xhavit Qeses dhe ky vetë, kanë lidhje me italianët edhe nëpërmjet Moisi Popës, i cili në atë kohë ka qenë ambasador në Itali. Pikërisht – vazhdon Gjergji – në momentin që Xhaviti mësoi se familja e Moisi Popës u fut në ambasadën italiane në Tiranë, ky ndryshoi, erdhi në qejf dhe shfaqej entuziast, duke u shoqëruar e biseduar me Edip Ohrin dhe Kiço Ngjelën”.

Vlen të përmendet se kohët e fundit, Xhaviti është shkëputur nga të dënuarit e tjerë anti-parti në burgun e Burrelit dhe pothuaj me të gjithë i ka marrëdhëniet të ftohta, kjo edhe për arsye se Xhaviti është prototipi i tipit skolastik, gjë që për të dënuarit e tjerë, e veçanërisht për Gjergj Titanin, është i bezdisshëm. Xhaviti është mbyllur në guaskën e tij, duke u marrë me përkthime të literaturës së dhënë nga ana jonë. Memorie.al

Punëtori Operativ

Piro Nuredini

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb