Një zjarr i përmasave të konsiderueshme është regjistruar pasditen e sotme në zonën e Qukës-Shkumbinit, në bashkinë Prrenjas, duke rrezikuar banesat pranë vatrës së zjarrit.

Reagimi i shpejtë i banorëve, kryeplakut dhe administratorit të zonës bëri të mundur njoftimin në kohë dhe ndërhyrjen e menjëhershme për të frenuar përhapjen e flakëve.

Në terren mbërritën forcat zjarrfikëse të Prrenjasit dhe Librazhdit, të cilat punuan për izolimin dhe shuarjen e zjarrit. Në operacion u angazhua edhe Policia e Shtetit, ndërsa të gjithë strukturat e përfshira bashkëpunuan për të mbajtur situatën nën kontroll.

Mbështetje për menaxhimin e situatës u dha edhe nga Ministria e Mbrojtjes dhe Prefektura e Qarkut Elbasan, përmes koordinimit dhe gatishmërisë së strukturave përgjegjëse.

Falë ndërhyrjes së koordinuar, zjarri u vu nën kontroll dhe vatrat u shuan, duke shmangur përhapjen e flakëve drejt zonës së banuar dhe duke parandaluar dëmtimin e dhjetëra banesave që ndodheshin në rrezik.

Ndërkohë, ekipet në terren vijojnë monitorimin e zonës për të shmangur riaktivizimin e vatrave, ndërsa pritet të përcaktohet edhe shkaku i rënies së zjarrit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb