Në ambientet e Muzeut Etnografik në Durrës u zhvillua mbrëmja poetike “Një gotë për Dorin”, një aktivitet i organizuar nga trupa e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, kushtuar poetit, shkrimtarit dhe publicistit Teodor Keko.
Mbrëmja solli në vëmendje krijimtarinë e një prej zërave më të veçantë të letërsisë shqipe, përmes interpretimit skenik të poezive nga aktorët Mimoza Marjanaku, Ervin Doko, Era Çaushi, Romir Zalla, Adelina Muça, Jaho Guma, Suela Bako, Marvin Tafaj dhe Alesia Xhemalaj. Publiku përjetoi një atmosferë të mbushur me emocion, ku poezia u kthye në urë mes kujtesës dhe artit, duke nderuar veprën dhe trashëgiminë letrare të Teodor Kekos.
Aktori Romir Zalla u shpreh se rikthimi tek poezia e Teodor Kekos mbetet gjithmonë një përjetim i veçantë, sidomos për poezitë kushtuar bashkëshortes së autorit, të cilat, sipas tij, mbartin një ndjeshmëri të rrallë. Ai vlerësoi organizimin e aktiviteteve të tilla, duke theksuar se figura si Teodor Keko meritojnë të kujtohen vazhdimisht për kontributin e tyre në letërsi, kulturë dhe jetën publike.
Mes emocioneve, bashkëshortja e poetit, Xhuli Keko, e cilësoi këtë aktivitet si mënyrën më të bukur për të përkujtuar Dorin, në prag të 24-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta dhe ditëlindjes së tij më 2 shtator. Ajo u shpreh se, megjithëse dhimbja mbetet gjithmonë e pranishme, vlerësime të tilla e mbajnë gjallë kujtimin e tij. Xhuli Keko bëri të ditur gjithashtu se ka ardhur koha për botimin e veprës së zgjedhur të Teodor Kekos, duke përmbyllur kështu publikimin e trashëgimisë letrare që ai la pas.
“Ndihem shumë e emocionuar, është përkujtimi më i bukur që mund t’i bëhet Dorit në 24-vjetorin e ikjes, ky është muaji i Dorit pasi më 2 shtator ka ditëlindjen.
Dhimbja është brenda meje, por jam mësuar me humbjen, pas kthimit nga Holanda e ndjej shumë.
Kënaqësi të dëgjoj poezitë e Dorit nga trupa e Durrësit.
Mendoj se ka ardhur momenti i veprës së zgjedhur, po punoj për të, është momenti i duhur për ta mbyllur”, tha ajo
Teodor Keko ishte një nga figurat më të spikatura të letërsisë shqipe të viteve ’80 dhe ’90. I njohur për stilin e tij të drejtpërdrejtë, ironinë e hollë dhe ndjeshmërinë njerëzore, ai la një gjurmë të rëndësishme si poet, prozator, publicist dhe politikan. Gjatë jetës botoi disa vëllime me poezi, tregime dhe romane, ndërsa pas vdekjes u botuan edhe vepra të tjera nga krijimtaria e tij. Përveç letërsisë, Teodor Keko u angazhua edhe në jetën politike shqiptare në vitet e para të pluralizmit, duke shërbyer si deputet. Megjithatë, ai mbetet mbi të gjitha i vlerësuar për krijimtarinë e tij letrare, e cila vazhdon të lexohet dhe të interpretohet edhe sot.
