Një ndeshje basketbolli për femra në divizionin e parë të Turqisë u kthye në një skenë kaosi, pasi një përplasje mes dy lojtareve përfundoi në grushte dhe shkulje flokësh në mes të parketit.

Ngjarja ndodhi në sfidën mes Meligazi Kayseri dhe Turgutlu Belediyespor. Në minutat e para të periodës së katërt, kur rezultati ishte 43-44 në favor të skuadrës mike, një kontakt nën kosh mes dy lojtareve u përshkallëzua menjëherë.

Beatrice Maupremier, qendra e Meligazi Kayseri, dhe Kelsey Bone, qendra e Turgutlu Belediyespor, u përfshinë fillimisht në një shtyrje, por situata doli shpejt jashtë kontrollit. Dy basketbollistet amerikane kaluan nga përplasja fizike te grushtet dhe shkulja e flokëve, ndërsa Bone përfundoi në parket.

Për të ndarë dy lojtaret u desh ndërhyrja e menjëhershme e stafit të skuadrave, trajnerëve dhe forcave të sigurisë në sallë. Pas përplasjes, Bone iu drejtua stolit të skuadrës së saj, ndërsa ngriti të dy gishtat tregues dhe u përfshi edhe në një debat verbal me tifozët vendas, përpara se të largohej drejt dhomave të zhveshjes mes fishkëllimave.

Pas shqyrtimit të pamjeve, gjyqtarët ndëshkuan me përjashtim nga loja të dyja lojtaret. Në fund, Meligazi Kayseri arriti të fitojë ndeshjen me rezultatin 64-58. Tashmë, Maupremier dhe Bone rrezikojnë pezullime të gjata për përplasjen që tronditi parketin dhe riktheu në vëmendje episodet e dhunshme në basketbollin për femra në Turqi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb