Profesori Lush Susaj u është drejtuar qytetarëve gjatë protestës së 116-të kundër qeverisë, duke i bërë thirrje të bashkohen në protestë dhe të dalin në sheshet e lirisë.

Në fjalën e tij, Susaj tha se Shqipëria ndodhet në një gjendje të rëndë dhe kritikoi situatën në vend. Ai deklaroi se qytetarët përballen me presion për të mos protestuar dhe e përshkroi situatën si një gjendje terrori.

Susaj kërkoi gjithashtu ndryshimin e sistemit arsimor dhe rikthimin e vëmendjes te shkollat dhe universitetet, në mënyrë që të përgatiten profesionistë të aftë. Në vijim të fjalës së tij, profesori u bëri thirrje qytetarëve që të përmbysin sistemin autokratik të partive, të cilat, tha se kanë dëmtuar Shqipërinë gjatë 36 viteve të fundit.

Ai e mbylli fjalën me një apel për bashkim kundër keqqeverisjes e korrupsionit dhe me thirrjen: “Rroftë Shqipëria, rroftë BE dhe SHBA”.

Profesor Lush Susaj: Ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që të bashkohen me këtë protestë. Sot Shqipëria ndodhet në gjendje të rëndë, më gjeni një vend, ku ujërat merren, ku bregdeti merren dhe prapë nuk reagoni?

Unë e di se ka shumë presion që mos dilet në protestë. Shqipëria është kredhur në terror. Dilni në sheshet e lirisë, se nuk vdes kush për bukë, fitojeni atë bukë me dinjitet. Të dalin të gjithë në sheshet e lirisë dhe të kërkoni sistemn arsimor europian, t’i kthejmë Shqipërisë shkollat e universitetet, që të përgatisim qytetarët e profesionistët.

Dilni që të bëheni profesionistë e të zotët e jetës suaj dhe jo diplomave pa vlerë. Dilni në sheshet e lirisë dhe përbyseni sistemin autokratik të partive, që kanë masakruar Shqipërinë në 36 vjet. Po na digjet Shqipëria ku jemi aksioner të gjithë, që ta shembim këtë poshtërsi vjedhjeje, këtë poshtërsi të përçarjes kombëtare, këtë shkatërrim të kombit shqiptar. Rroftë Shqipëria, rroftë BE dhe SHBA.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb