Xhiro e Italisë ka mby llur edicionin e 108-të me një përmbysje të çmendur në etapën e parafundit, atë të 20-të, Verres-Sestriere (205 km). Simon Yates u shpall fitues i Xhiros, duke marrë të shtunën fanellën rozë, pas një rikuperimi të jashtëzakonshëm në malore. Ky ishte suksesi i parë në Xhiron e Italisë për britanikun dhe i dyti në karrierë në Turet e Mëdha, pas fitores në Vueltën e Spanjës 2018.

32-vjeçari e bëri diferencën në maloren më të fortë të Xhiros së Italisë, duke dalë në skenë pikërisht në momentin vendimtar në etapën e 20-të, aty ky shtatë vite më parë i iku fanella nga duart në duelin kundër Chris Froome. Rreth 40 kilometra nga finishi, ai u hodh fuqishëm në sulm, duke krijuar avantazhin ndaj rivalëve, ndërsa më pas e konsolidoi epërsinë edhe falë ndihmës nga Wout Van Aert.

Nga ana tjetër, Richard Carapaz (EF EducationEasyPost) dhe Isaac De Toro (UAE Team Emirates- XRG) nuk bashkëpunuan dhe nuk arritën që ta ngushtonin hendekun, duke ngritur flamurin e bardhë, teksa Yates i la pas me gati 6 minuta, duke hipotekuar kështu triumfin në Xhiron e Italisë 2025. Kështu, kur dukej se gjithçka do të vendosej nga dueli Del Toro–Carapaz, fanella rozë e edicionit të 108-të të Xhiros së Italisë ndryshon pronar në momentet e fundit dhe tashmë e gjithë festa i takon me meritë çiklistit britanik të skuadrës Visma Lease a Bike.

Del Toro në vend të dytë dhe Carapaz në të tretin, kompletuan podiumin e Xhiros së Italisë 2025. Për sa i përket verdikteve të tjera, klasifikimin e pikëve e fitoi danezi Mads Pedersen (Lidl-Trek), fanellën e “Mbretit të Maleve” e mori italiani Lorenzo Fortunato (Astana), ndërsa 21-vjeçari Del Toro u shpall i riu më i mirë i Xhiros. Ndërkohë klasifikimi ekipor u fitua nga skuadra e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Xhiro e Italisë, e cila për herë të parë në histori nisi me 3 etapat e para nga Shqipëria, u mbyll dje me etapën e 21-të, e fituar nga holandezi Olav Koij (Visma), ndërsa më parë u realizua edhe parakalimi në Qytetin e Vatikanit, në nderim të Papa Françeskut. Grupi i bashkuar i çiklistëve u prit nga Papa i ri, Leoni XIV. Më tej ishte radha për ceremoninë, ku u vlerësuan më të mirët e edicionit të 108- të të kompeticionit prestigjioz të çiklizmit.

Screenshot 2025-06-02 103915

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb