Sot para Bashkisë Durrës u zhvillua një protestë tjetër, ku qytetarët shprehën pakënaqësitë e tyre për menaxhimin e situatës nga bashkia.
Të paktë në numër protestuesit thanë se do ti bashkohen protestës që kanë shkaktuar përmbytjet në Durrës.
“Unë kam dalë sot të protestoj dhe të kërkoj të drejtën time. Shtëpi më është përmbytur. E kam shtëpinë afër burgut. Asnjë nuk ka ardhur. I kemi njoftuar, por presin të largohet uji. I kërkoj bashkisë së Durrësit të jenë pranë qytetarëve. Janë në ujë të gjithë njerëzit. Është hera e tretë që përmbytemi, asnjë dëmshpërblim nuk kemi marrë”, u shpreh një qytetare.
Edhe pse reshjet e shiut pothuajse kanë ndaluar, uji akoma nuk është larguar nga disa zona. Situata më kritike paraqitet në Njësinë Administrative Sukth dhe Katund i Ri, ku lumi i Erzenit ka dalë nga shtrati dhe një pjesë e banorëve është evakuuar.
“Jemi përmbytur. I gjithë uji që është në oborr është kolere. Jemi të rrethuar nga tubat e ujërave të zeza. Duhet të ecësh me skaf. Duam drejtësi. Të vijnë të hapin kanalizime”, u shpreh një tjetër qytetar.
Qytetarët kërkuan veprime më konkrete dhe të menjëhershme nga institucionet për të parandaluar dëmet në banesa dhe biznese.
