Deputetët e Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës, Gjin Gjoni dhe Kastriot Piroli, kanë parë nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet në zonën e Fushë-Kuqes në Kurbin, ku banorët e fshatit Adriatik ndodhen prej pesë ditësh nën pushtetin e ujit, i cili ka shkaktuar dëme të mëdha, kryesisht në bujqësi dhe blegtori.

Gjatë takimeve me deputetët, banorët u shprehën se, pavarësisht izolimit dhe vështirësive të shumta qe jane krijuat nga prezanca e ujit, askush nuk është interesuar për fatin e tyre. Sipas tyre, përmbytjet janë kthyer në një fenomen të përsëritur, për shkak të mosfunksionimit dhe mungesës së mirëmbajtjes së kanaleve kulluese, si dhe neglizhencës dhe mungesës së vëmendjes nga pushteti vendor dhe qendror.

Deputetët Gjin Gjoni dhe Kastriot Piroli deklaruan se, si përfaqësues të Partisë Demokratike dhe deputetë të këtij qarku, do të ngrenë zërin me forcë për dëmshpërblimin e plotë të banorëve të prekur dhe për marrjen e masave konkrete për minimizimin e përmbytjeve, të cilat janë kthyer në një problem të vazhdueshëm si në Kurbin, ashtu edhe në Lezhë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb