Përmbytjet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm musonikë në Indinë verilindore kanë shkaktuar të paktën 97 viktima në shtetin e Assamit, ndërsa rreth 170 mijë persona janë prekur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut, sipas autoriteteve lokale.
Reshjet intensive, të cilat konsiderohen ndër më të rëndat e viteve të fundit, kanë detyruar mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të strehohen në kampe emergjente. Përmbytjet kanë mbuluar mbi 140 mijë hektarë tokë bujqësore, një sipërfaqe rreth një herë e gjysmë më e madhe se ajo e Parisit. Pamjet nga distrikti Sivasagar, një nga zonat më të goditura, tregojnë shtëpi të zhytura pjesërisht në ujë, pemë të rrëzuara dhe automjete të mbuluara nga balta.
Floods in India’s north-east kill nearly 100 https://t.co/7FmnGEQw7v
— The Straits Times (@straits_times) August 7, 2026
Kryeministri i shtetit Assam, Himanta Biswa Sarma, publikoi një video ku shfaqej dhimbja e prindërve të një djali 13-vjeçar, i cili humbi jetën teksa përpiqej të shpëtonte qenin e tij nga ujërat që po rriteshin. “Asnjë prind nuk duhet të detyrohet t’i thotë lamtumirë fëmijës së tij”, shkroi ai.
Ndërkohë, ministri indian i Shëndetësisë, J. P. Nadda, i cili vizitoi zonat e prekura, deklaroi se dëmet janë të mëdha dhe se rikthimi i normalitetit do të kërkojë kohë. “Fshatrat u përmbytën njëri pas tjetrit,” tha ai para gazetarëve. Përmbytjet janë një fenomen i zakonshëm në Assam gjatë sezonit të musoneve, nga qershori deri në shtator, kur lumi Brahmaputra dhe degët e tij dalin shpesh nga shtrati pas reshjeve të dendura.
