Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas përmbytjeve të rënda që kanë përfshirë qarkun e Beratit.
Sipas Bozdos, përveç zonës së Dimalit, përmbytje katastrofike janë verifikuar edhe në bashkinë Kuçovë, ku qindra hektarë tokë bujqësore dhe sera janë vënë nën ujë. Ai thekson se situata është veçanërisht e rëndë në zonat Kozare, Salcë-Kozare dhe Ferras, ku dëmet janë të mëdha dhe të menjëhershme.
“Në pamje tregohet përmbytja në Kozare, Salcë-Kozare dhe Ferras. Janë me qindra dhe mijëra familje që shohin punën, mundin dhe djersën e tyre të shkatërrohet brenda disa orëve, për korrupsion dhe paaftësi të qeverisjes”, shkruan Bozdo në reagimin e tij.
Në këtë kuadër, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar shpalljen e “gjendjes së jashtëzakonshme” për të gjitha zonat e prekura nga përmbytjet, si dhe dëmshpërblimin e plotë të dëmeve të shkaktuara për çdo fermer dhe blegtor të prekur.
