Kur retë nxihen dhe moti ka “dridhërimë”, koha derdh “gjyma uji”,  në zonat tradicionale të përmbytjeve shqiptare. Dridhërima troket së pari tek komunitetet njerëzore dhe “komandën” në këto zona e merr uji. Fshatra e qytete dhe mbarë komunitetet e vendosura buzë lumenjve, veçanërisht buzë lumenjve kapricozë, që vërshojnë pa paralajmërim, alarmi është i pranishëm tek banorët, pushteti vendor dhe çdo segmet shtetëror që ka detyrime institucionale mbrojtjeje e sigurie si Policia e FA-ja, Agjencia e re e Emergjencave Civil, pushteti vendor, bashki e prefektura e deri tek strukturat qendrore ekzekutive të shtetit. Prej disa ditës vendi po kalon një situatë të vështirë përmbytjesh në qindra hektarë toke dhe shtëpish. Intensiteti i lartë i reshjeve të shiut përngjason nga njeri vit në tjetrin. Duket sikur vitet e lënë si stafet trashëguese vërshimet e ujit. Përmbytjet kanë qenë një kërcënim për shtëpitë, agrikulturën, blegtorinë, banorët e zonave të prekura në shumë zona të vendit. Në varësi të rreshjeve dhe prurjeve alarmi i parë vjen nga Shkodra e Lezha, por edhe nga gjithë ultësira bregdetare shqiptare. “Lufta” me ujin, e këtyre zonave është e përvitshme, ka qenë me dekada dhe shekuj. Edhe sot e kësaj dite vijojnë ndeshja dhe “përleshjet” me të njejtin “armik”, me faktorin ekstrem natyror të përmbytjeve. Vërshimi ujor vjen si një përbindësh lumor, që lëshohet luginave në mënyrë të egërsuar, që sjell pasigurinë e komunitetit dhe krijon shqetësim mbarëkomunitar me situata të jashtëzakonshme, në gjithë strukturat e piramidës shtetërore. Në këto zona përmbytjet janë histori e përsëritshme, për prindërit, gjyshërit e stërgjyshërit. Shumëkush i ka jetuar dhe ka mbijetuar në këto zona. Janë përballur dhjetra herë me këtë fenomen ekstrem të natyrës, që për banorët e moshuar me shpoti thonë se, përmbytjet janë “të dashuruar” me natyrën shqiptare. Komunitetet me vendbanim pranë lumenjve, në të gjitha qeveritë e pushtetet, në të gjitha rregjimet dhe në të gjitha brezat do të donin që lumenjve vërshues t’jua vendosnin “kufirin tek thana!”, por nuk mundnin. Përmbytjet si fenomen ekstrem natyror dhe jo vetëm i kërkojnë strukturat shtetërore dhe mbi të gjitha Policinë e Shtetit dhe Forcat e Armatosura në këmbë, për të garantuar sigurinë e jetës në radhë të parë. Përmbytja vjen pa njoftim dhe e “paftuar”, ditën dhe natën, prandaj masat ndaj saj marin rëndësi të dorës së parë për të garantuar sigurinë e jetës komunitare. Shpesh moti çmendet dhe rreshet nuk mund të kyçen, por sigurisht mund e duhet të shmangen. Për këto raste bashkëpunimi me strukturat e mbrojtjes, policimit, FA-së, të emergjencave civile, bashkitë e prefekturat për sigurinë e jetës është imperativ i ditës. Angazhimi i strukturave e kanë suksesin me vete kur organizohen e parapërgatiten për këto situata të pritshme, e të njohura, që për Shqipërinë vërshimet e ujrave pothuaj kanë qenë “si të shtëpisë”, me përmbytje të përvitshme. Sistemi lumor në Shqipëri paraqet riskun më të madh për përmbytjet dhe kur “ndihmohet” edhe nga dëborërat e maleve çështjet bëhen edhe më komplekse për sot dhe për të ardhmen, por jo pa mundësi eleminimi dhe përballimi.

“Pushteti i ujit” në dëshmirë historike

Burimet dokumentare mbi fenomenin e përmbytjeve në Shqipëri janë tashmë të domunentuara. Ato flasin për periudha dhe vite të tilla nga të cilat mund të dallojmë: vitet 1854, 1860, 1865, 1867, 1868, 1869, 1870, 1871, 1937, 1952, 1962-1963, 1983, 2010, 2015, 2017, 2021. Nga të dhënat përmbytjet e vitit 1962-1963, kanë qenë më të mëdhatë e të gjitha përmbytjeve, që kanë ndodhur në Shqipëri përgjatë shekullit të XX-të e deri sot. Sipërfaqja e përmbytur në gjithë vendin shkon mesatarisht nga 65000 ha deri 110 mijë ha; ndërkohë që prurjet maksimale shkojnë në 3650 m3/s në lumin Vjosë, dhe 5180 m3/s në lumin Drin, etj. Dëshmitë historike, të kronistit turk Sirri, i cili shkruante: “…ditën e enjte më 1.12.1854, u bë një përmbytje e madhe, dolën nga shtrati Buna dhe Drini, të cilët vërshuan në Shkodër në anë të Bahçellëkut dhe të Tabakhanes, uji hyri nëpër shtëpi. Uji gjithashtu hyri nder depo, magazina dhe dyqane deri në rrugët e pazarit. Bile në rrugën e Teqesë, që është më e lartë se rrugët e tjera, lundrat e ngarkuara me 2000 okë kripë erdhën, duke kaluar mbi rrugën e Teqesë. Kaiket shkonin e vinin mbi kalldrëmin e rrugës së Perashit e të Rusit. Dhjetë ditë vazhdimisht, ata që do të dilnin në pazar, duhet të kalonin nga rrugët e kodrave.  Vërshimi më i madh këputi urën e Bunës dhe në kazerma uji arriti tre pëllëmbë lartësi”. (Harp Akademileri Komutanligi, Instanbul, Yni Levente, Shënime udhëtimi të kronikanëve të ushtrisë osmane (Sirri), Instanbul, 2000, faqe 64.) Dhe vijon: “Përmbytja e datës 10.12.1860: “Kjo përmbytje është me e madhja sa s’ka ngjare ndonjëherë. Pazari, lagjia Bahçellëk dhe Tabakhania mbetën nën ujë për 31 ditë dhe …dëmet në pazar i kalojne te 500 qeset”. Përmbytja që shkakton Shkumbinisi lumë “luftarak“ e përmbytës në dimër ngjason me Vjosën, si lumi më i egër i Europës. Në vitet 1205-1370 në bregdetin e Adriatikut “Spinarica”, ishte qyteti-port në grykëderdhjen e lumit Vjosa, pak kilometra nga Apolonia, që ndryshe quhej “Porti detar i Apolonisë”. Ky është qyteti që u braktis nga shkaku i shejtanëve të tmerrshëm, që emërtoheshin “Laço” dhe kurora e lumit u quajt Laçanë, që u emërtua nga Shën e Premtja në Laçanë”. Në fakt zhdukja e qytetit “Spinarica” nuk vinte nga deti por nga përmbytjet e përvitshme të lumit Vjosa, ngaqë ujërat e lumit përziheshin bashkë me të detit dhe krijonin rreziqe të mëdha për njerëzit, që ngritën lloj–lloj legjendash derisa e braktisën përfundimisht qytetin “Spinarica”, duke besuar se fituan djaltë mbi njerëzit, ndërkohë që kishte fituar pushteti i përmbytjes mbi njerëzit. Në gazetën “Zëri i Korçës” të 9 dhe 23.1.1926: “Për liqenin e Shkodërës merret vendim nga Këshilli i Ministrave për ta kanalizuar e minimizuar përmbytjet”; ndërsa më 12 janar shkruhej: “Liqeni i Shkodrës ka gjatësi 45 km, gjerësi 12 km, thellësi 12 m, …Buna me 14 km”. Edhe gazeta “Vullneti” e Tiranës për Drinin dhe Bunën, flisnin si “zaptuesi”  i hapësirave fushore. Por përmbytjet kanë pasur të njëjtin temp edhe në kohët moderne. Kështu sipas “DesInventar” (https://www.desinventar.net/), një sistem ky për menaxhimin e informacionit rreth fatkeqësive, nga viti 1852 deri në çerekun e parë të shekullit XXI, në Shqipëri kanë ndodhur rreth 4000 raste fatkeqësish, ndërkohë që përmbytjet kapin përqindjen më të madhe të fatkeqësive në rreth 38%. Vetëm në vitet e demokracisë së brishte shqiptare në tre dekada humbjet ekonomike të shkaktuara nga përmbytjet përllogariten në rreth 2,5 miliardë dollarë. Pra, kushtojnë më lirë masa paraprake investuese për parandalimin e përmbytjeve se sa pritje e ndodhjes së tyre dhe më tej marrja e masave riparuese dhe eleminimi i pasojave.

Iniciativat bashkëpunuese rajonale

Në shekujt e dekadat e mëvonëshme, “disiplinimi“ i lumenjve shqiptarë ka ardhur me vonesë, me urbanizimin dhe administrimin e dëmeve e shkatërrimeve që vinin nga faktorët ekstremë të natyrës në formën e përmbytjeve. Shqipëria, përgjatë shekullit të fundit ka tentuar të marrë masa ndaj fenomentit të përmbytjeve, por veçanërisht në këto dy dekadat e fundit është përfshirë në disa iniciativa rajonale si: “Iniciativa për Parapërgatitjen dhe Parandalimin e Fatkeqësive të Vendeve të Evropës Juglindore”; “Iniciativa Adriatik-Joniane”; Parapërgatitja Civilo-Ushtarak për Emergjencat e Këshillit të Evropës Juglindore; Rrjeti i Simulimeve i Evropës Juglindore; Bashkëpunimi Ekonomik i Detit të Zi; etj., që kanë sjellë që të bjerë miti i “kështjellës” ujore të Europës, edhe stigmatizimi i “kështjellës” ujore që sjellin rreziqe mbi sigurinë. Shqipëria është ndër vendet me rrjetin më të dendur hidrografik të Europës me një pasuri shumë të madhe ujore. Nga sasia e ujit për frymë, Shqipëria vjen menjëherë pas Zvicrës, ku sasia e ujit për frymë/vit arrin mbi 13 mijë m³. Rrjeti ujor përbëhet nga 13 lumenj, por që në total shkojnë në mbi 150 lumenj të të gjithë niveleve. Në dimër këta lumenj sjellin rreth 60 milionë tonë mbetje të ngurta si dhe që të gjithë vërshojnë dhe ndonjëherë përmbytin zona të tëra fushore. Ndërsa në planin ndërkombëtar planeti përballet me 260 lumenj kryesorë të botës, jo rrallë herë kanë qenë edhe objekt debati sepse kanë një ndarje kufijsh që 175 lumenj rrjedhin përmes dy vendesh, 48 përmes tre vendesh dhe 37 përmes katër më shumë vendesh. Pra ujrat janë një fenomen kërcënues dhe i pushtetshëm në Shqipëri, në rajon, në Europë dhe në botë. Shpenzimet për Mbrojtje e Siguri në vendet më të zhvilluara të botës janë marramendëse në raport me shpenzimet për ekonominë e ujërave, për kanalizimin dhe disiplinimin e tyre. Por kur pushteti përmbytës “armatoset rëndë” detyron qeveritë (edhe në vendet më të zhvilluara) të “kafshojnë” rëndë buxhetet dhe programet buxhetore, pasi përmbytja është imponuese.

Përtej hartave dhe statistikave se “vendi është e prirur të përmbytet”!

Harta e përmbytjeve është e njohur mirë në Shqipëri. Rreshjeve të kompleksit ujor: “Liqeni i Shkodrës, Lumi Buna, Lumi Drin”, që përfaqëson një nga sistemet më të mëdha e më të komplikuara hidrografike të Shqipërisë, si dhe të krejt gadishullit ballkanik. Këtyre u shtohen edhe prurjet e dendura nga malet e Pindit në Greqi, luginës së Drinos dhe të Përmetit, që lumin Vjosa e “nxjerrin” nga shtrati dhe i “japin” mision përmbytës. Në “kërthizë” të vendit vërshimin dimëror lumi Shkumbin e fillon brigjeve të tij për të shpërthyer duke dalë nga shtrati pranë Urës së Rrogozhinës dhe Çermës, që me shtimin e rresheve bëhet gjithnjë e më shumë problematik në gjithë Myzeqenë. Politikat dhe strategjitë e shpëtimit duhet të “çajnë” turbullirën dhe kompeksitetin e përmbytjeve duke shkuar përtej  “statistikave të fatkeqësive”, ndërkohë që përmbytjet janë një rrezik natyror me probabilitet të lartë në Shqipëri, në Ballkanin Perëndimor dhe mbarë planetin tonë. Ekspertët thonë se ka ardhur koha të eliminohen sloganet e “pushtetit” të përmbytjeve, “vendi është e prirur të përmbytet”, etj., duke ja lënë vendin detyrimeve për të përmbushur Direktivën e BE-së për përmbytjet, të mirëmenaxhimit të përmbytjeve, të përvojave më të mira të parandalimit të përmbytjeve, etj. Angazhimi i përgjithshëm në rastet kërcënuese të motit, bën që efekshmëria e masave ta nxjerrë jashtë fjalorit shprehjen “me sytë nga qielli”!. Të gjitha këto kontribuojnë në rritjen e sigurisë komunitare e për rrjedhojë edhe të sigurisë kombëtare. Masat e “vogla” për mbjellje e gjelbërim, moslejim të “mbjelljes” së vendbanimeve të paligjshme njerëzore pranë lumenjve, investim në infrastrukturën hidrologjike me pompa, hidrovore, argjinatura, pengesa përmbytjesh, zgjidhje inxhinierike “smart” në gjithë zonat e prirura nga përmbytja do të ishin zgjidhjet praktike dhe me kohëzgjatje. Njerëzimi do të vijojë të përballet me fenomentet ekstreme të natyrës edhe për fajet e veta të ngrohjes globale, dikur e papërfillshme, sot problematike, nesër katastrofale. Në lidhje me “Direktivën europiane të Përmbytjeve”, në fakt është rritur intesiteti legjislativ, buxhetor dhe praktik për plotësimin e detyrimeve, të nisur duke planifikuar që më 2014, por që zbatimi i plotë i shtrin efektet deri më 2023. Direktiva europiane obligon angazhim dhe ngritje institucionale, si dhe koordinim të të gjithë niveleve të pushteteve vendor, qendror dhe formatit rajonal. Përparësia në përballje me këtë fenomen ekstrem natyror fillon me vlerësim risku mbi përmbytjet, hartëzimin e tyre, përgatitjen e Strategjive të Menaxhimit të Përmbytjeve dhe Planeve të menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet etj. Këto janë çelës esencial në zbatueshmërinë e Direktivës europiane. Nga ana tjetër integrimi i krejt aktiviteteve të menaxhimit të përmbytjeve në sektorë të tjerë si ai i urbanizimit, i sektorëve bujqësor, i monitorimit të paralajmërimit, evakuimeve më emergjente, ndërgjegjësimit komunitar janë ato që bëjnë plotshmërinë e masave organizative për përballimin e përmbytjeve. Shtylla vertebrare e përballimit të përmbytjeve ngelet, parandalimi i përmbytjes me infrastrukturë solide, qëndrueshmëria dhe planifikimi hapësinor, dhe menaxhimi i fatkeqësive përmes planeve ekzakte emergjente për evakuimet, si një qasje e integruar që duhet të shkojë përtej mbrojtjes nga përmbytjet. Në disa raste nuk mjafton informimi i qytetarëve për rrezikun e përmbytjes ose “komunikimin e rrezikut”, (Direkta informuese e Përmbytjeve të BE-së). Por për të ndjekur rrugëtimin e BE-së edhe në fushën e përballimit dhe eleminimin e përmbytjeve nuk ka nevojë të ecet “në rrugë të pashkelura”. Do të ishte më se e natyrshme realizimi i një plani gjithëpërfshirës për evakuimin për komunitetin njerëzor dhe gjënë e gjallë, efikasiteti i planeve të emergjencave, krijimi i infrastrukturës së gjelbër, që jo rrallë herë i është lënë që na ndërtojë vetë natyra. Në krye të masave është e natyrshme asistenca buxhetore në zonat problematike të përmbytjeve të vendit, investime serioze në gjithë zonat e pritura për përmbytje dhe që në fakt aktualisht janë shumë të njohura dhe të provuara. Tashmë është e tejkaluar motoja që “pësimi të bëhet mësim”, por kërkohet më tepër. Mençuria europiane e vlerave të përbashkuara ka gjetur çelësin edhe për të mbyllur një herë e mirë dhimbjet, që mund të “kycin përmbytjet e vërshimet e ujrave”, që janë plagë shekullore në Shqipëri. Aktualisht është koha e mundësimit praktik të rishikimit dhe përditësimit të Planit Kombëtar të Emergjencave Civile, duke u thelluar në politika, struktura, kapacitete, buxhete etj., që i thonë “ndal!”, fenomeneve të përmbytjes. Fenomenet ekstreme të përmbytjeve, rreziku nga fatkeqësitë kanë qenë temë e rëndësishme në axhendën publike shqiptare, sepse strategjitë, politikat, buxhetet që “në ditët me diell” mund të kursejnë në vijimësi miliona lekë ekonomisë shqiptare, garantojnë stabilitetin e jetesës komunitare dhe rrisin sigurinë njerëzore. Përballë “pushtetit të ujit”, strukturat e shtetit janë “të mësuara”, i kanë planet e programet gati, për mbështetje, evakuim, çizmet dhe varkat, rrugëkalimet, mjetet, destinacionet, sigurinë e njerëzve dhe gjësë së gjallë. Halleve të këtij viti në përmbytje, u shtohet edhe pandemia “Covid-19”. Shqetësimi i Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit nuk është i përveçëm dhe as një zë i shuar në mugutirën e rresheve të dendura të këtyre ditëve, por një këmbanë e së sotmes dhe së ardhmes. Në këtë kuadër “zhurma” e disa lloj buxhetesh për emergjencat, nuk i kanë dhënë zgjidhjen përfundimtare problemeve, që çojnë edhe në shtrirje dore dhe kërkesa për donatorë koridoreve të BE-së në Bruksel, tek miqtë e partnerët. Partnerët nuk kanë munguar të jenë prezentë pas përmbytjeve e dëmeve që shkaktojnë përmbytjet. Kështu delegacionet e ndërkombëtarëve, BE-së, OKB-së, Bankës Botërore, ndonjëherë edhe kanë zgjidhur qesen për projekte të pjesëshme, që mbrojnë nga përmbytjet e lumit Vjosa, Drino dhe Osum, por Buna, Drini dhe Shkumbini paraqesin rrezik të përhershëm. Populli ynë ka një maksimë të njohur se, “nuk mbahet magjia me miell hua”. Prandaj edhe reflektimi pas përmbytjeve kërkohët më i thellë, më analizues dhe më i vendosur. Fenomeni “përmbytje”, që është i vjetër sa njerëzimi, jo gjithmonë është i parashikueshëm, ndërkohë që Artur Vajgal thoshte se “profeti më i mirë është ai që parashikon të ardhmen!”. Esenciale nuk janë profecitë, por masat e gjithanshme për t’u vënë “fre” lumenjve dhe për t’ua vënë “kufirin tek thana” njëherë e përgjithmonë. Analiza e zonave të rreziqeve nga përmbytjet në Shqipëri është në fokus të përhershëm të organeve të sigurisë për vetë natyrën kërcënuese mbi sigurinë publike dhe sigurinë kombëtare, një fenomen ky mjaft i përsëritshëm. Shqipëria ka përballuar përmbytje të madhësive të ndryshme, kur lumenjtë “dalin nga vetja” dhe marrin përpara gjithçka: toka bujqësore, banesa, bagëti, e gjithçka tjetër.  Kështu në 40 vitet fundit midis 1980 deri 2020, janë regjistruar dymbëdhjetë përmbytje të përmasave të mëdha hidrometeorologjike në pothuaj gjithë Shqipërinë, kjo për shkak të ngarkesës së intensifikuar të fenomeneve atmosferike, ku komuniteteve në këto zona u është dashur të përballojnë njëherësh ekspozime nga dy a më shumë fatkeqësi natyrore. Ligje, Vendime, Udhëzime, politika, strategji të organizime qendrore dhe vendore kanë qenë e janë pjesë e punës së përditshmërisë, përfshi angazhime në disa drejtori e agjenci, për zgjidhshmërinë e problemeve që sjellin përmbytjet, për sigurisë komunitare. Planifikimet, planet, buxhetimet kanë pasur për sinergji ngritjen e digave, argjinaturave, hidrovoreve, kanalet kulluese, ku faktikisht panorama e zvogëlimit të rrisqeve ka përparim, megjithatë analiza e strukturës ekzistuese ligjore, politike, strategjike dhe institucionale duhet rishikuar, moti duhet “kontrolluar” dhe “disiplinuar” gjithmonë me masa antipërmbytje. Pushtetin dhe komandën mbi sistemet hidrike shqiptare duhet ta mbajë kurdoherë faktori “njeri”.

 

Disa nga përmbytjet më të mëdha në Shqipëri:

Koha e përmbytjeve Lumenjtë që dalin nga shtrati Vendi i përmbytur Dëmtimet Shkaku i përmbytjes
Dhjetor 1962 dhe Janar 1963 Lumi Drin dhe Buna Niveli i ujit ishte rreth 80 cm edhe në qytet. Nënshkodra, Shkodra dhe Lezha ishin plotësisht të përmbytura U përmbytën 70 mijë ha toka bujqësore dhe të gjitha qendrat e banuara që ndodheshin në këto zona, qytetet Shkodër, Lezhë, mbi 10 mijë njerëz u evakuan Prurjeve të shumta të lumenjve Drin, Buna si dhe gjithë lumenjtë e tjerë në veri.
Shtator 1995-Janar 1996 Gjithë lumenjtë e Shqipërisë Zonat Shkodër, Lushnjë, Krujë, Laç, Durrës, Lezhë dhe fshatrave përreth tyre ndjenë pasojat e mëdha të përmbytjeve. Përmbytjet në mbi 20 mijë hektarë të herëpashershme. U shndërruan në gërmadha shtëpi banimi, në raste të veçanta duke marrë dhe jetë njerëzish, por edhe evakuime të shumta. Prurje të shumta të të gjithë lumenjve të Shqipërisë në veri dhe në Jug të vendit.
22-30 Shtator 2002 Drini, Buna dhe Ishmi Rreshjet e shumta, krijuan një situatë të rëndë për zonat e Milotit, Lezhës, Torovicës, Zadrimës e Shkodrës. U përmbytën mbi 16.000 ha tokë bujqësore dhe u prekën 7500 familje. U evakuuan shumë familje nga zonat e përmbytura. Rreshet e shumta në të gjithë zonën veriore të Shqipërisë
shkurt-mars 2004

 

Drini, Buna, Ishmi Zonat fshatare në Veri të Shqipërisë kanë pësuar dëme e vështirësi rikuperimi për vite me radhë U përmbytën qindra hektarë tokë dhe u dëmtuan rreth 400 banesa. Rreshe të shumta në të gjithë zonën veriore të Shqipërisë
dhjetorit 2005, Dalja nga shtrati e lumit Vjosa Preku kryesisht ne zonat Jugore të Shqipërisë. U përmbytën rreth 7000 hektarë dhe u dëmtuan rreth 350 banesa, biznese dhe qendra socialkulturore Rreshe të shumta në të gjithë zonën veriore të Shqipërisë
2010 -2011 Lumi Drin dhe Buna Niveli i ujit ishte mbi 1 metër në qytet. Nënshkodra, Shkodra dhe Lezha ngjanin si Venecia Situata u përsërit dy vjet rresht, ku të përmbytyra do të rezultonin mbi 14000 hektarë tokë, 1200 godina e mbi 12 mijë njerëz u deshën të evakuohen Prurjeve të shumta në Drin tre hidrocentralet, Fierza, Komani, Vau i Dejës,që ndodhen përgjatë këtij lumi u detyruan të hapnin portat e shkarkimit
Shkurt 2015 Lumi Vjosë me burime nga Mali i Pindit në Jug. lumenjtë Devoll, Osum Seman fshatrat përgjatë rrjedhës së poshtme të Vjosës, si Mifol, Novoselë, Bishan, Fitore e Poro do të mbuloheshin nga uji. 9992.6 hektarë tokë, e përmbytur, 709 banesa të dëmtuara plotësisht ose pjesërisht nga vërshimi i Vjosës, 300 biznese, 16 shkolla dhe 10 ura të dëmtura, 3500 bagëti të mbytura Shkak kanë qenë rreshet e mëdha që prej maleve të Pindit e deri përgjatë gjithë luginës së Drinos dhe Luginës së Përmetit, Tepelenë, Mallakastër e Vlorë
29 nëntor 2017 Lumi Vjosë me burime nga Mali i Pindit fshatrat përgjatë rrjedhës së poshtme të Vjosës, 10622 hektarë tokë, 4700 banesa, 41 biznese, u dëmtuan 56 shkolla dhe 65 ura në të gjithë Shqipërinë. Shkak kanë qenë rreshet e mëdha që prej maleve dhe luginave si dhe vërshimit të të gjithë lumenjve e përrenjve më të vegjël të Vjosës.
8-11 janar 2021 Lumi Drin dhe Buna Lumi Vjosë me burime nga Mali i Pindit Zonat Shkodër dhe Lezhë si dhe fshatrat përgjatë rrjedhës së poshtme të Vjosës 7450 hektarë tokë të përmbytur në veri dhe jug të vendit, banesa dhe biznese të dëmtuara, disa rrugë të bllokuara përkohësisht për rrëshqitje dherash; disa ura të dëmtuara rëndë. Rreshet e mëdha që gati njëjavore prej maleve dhe luginave. Vërshimi pothuaj i gjithë lumenjve e përrenjve në gjithë hapësirën shqiptare.

.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb