Shpresat për gjetjen e të mbijetuarve në qytetin libian Derna po shuhen ngadalë, gjashtë ditë pasi përmbytjet shkatërruese goditën qytetin, duke vrarë mijëra njerëz. Shirat e rrëmbyeshëm natën e së dielës, duke u zbardhur e hëna shkaktuan shembjen e dy digave, që shkaktuan përmasat e një cunami, duke ‘gëlltitur’ gjithçka në rrugën e tyre. Përmbytjet lanë pas një skenë shkatërrimi dhe dëshpërimi në një pjesë të madhe të qytetit, në të dy anët e përroit që përshkon. Derna duket sikur është goditur nga një tërmet i madh, zbuloi një fotograf i AFP. Ndërtesa të tëra u rrëmbyen nga ujërat. Të tjerat u shkatërruan, ndërsa shumë makina mund të shihen të përplasura me mure.

Anëtarët e ekipeve të shpëtimit dhe Gjysmëhënës së Kuqe Libiane kërkojnë trupa të vdekur në det, pasi një stuhi e fuqishme dhe reshje të mëdha shiu goditën Libinë. Para katastrofës, qyteti kishte 100,000 banorë. Nga këta, “të paktën 10,000” njerëz janë të zhdukur, sipas OKB-së, ndërsa numri i saktë i të vdekurve mbetet i panjohur në këtë fazë.

Zyrtarët e qeverisë së Cyrenaica, në Libinë lindore, flasin për të paktën 3000 të vdekur, por shumë kanë frikë se numri i humbjeve do të jetë shumë më i lartë. Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) flet për mbi 38,000 njerëz të zhvendosur në pjesën lindore të vendit të ndarë, 30,000 vetëm në Derna. Manoel Carton, koordinator mjekësor i një ekipi të Médecins Sans Frontières (MSF) që u vendos në zonë tre ditë më parë, foli për një situatë “kaotike”, e cila pengon regjistrimin dhe identifikimin e duhur të viktimave.

“Ka shumë vullnetarë nga e gjithë Libia dhe jashtë saj. Koordinimi i ndihmës është urgjente”, këmbënguli ai.
“Shumica e viktimave janë varrosur në varreza masive”, megjithatë “shumë” mbeten të pagjetur, pasi dyshohet se përfunduan në det”.
(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb