FUSHE KRUJE- Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri akuzoi opozitën se po përdor politikisht situatën e motit dhe fatkeqësinë e njerëzve. Ai i bëri apel asaj të përdorë energjitë pozitive të saj për të ndihmuar familjet e prekura nga përmbytjet. Tahiri i bëri këto deklarata teksa inspektonte zonat e përmbytura në Fushë-Krujë ku pa nga afër situatën e krijuar në lagjen “Adem Gjeli”, ku Emergjencat Civile shpërndarë ndihma në ushqime dhe veshmbathje.
Ministri kërkoi solidaritetin e të gjithëve për të përballuar këtë situatë të vështirë dhe për të ndihmuar qytetarët e prekur nga përmbytjet. Ai siguroi se qeveria po monitoron situatën për të parandaluar pasoja më ët rënda nga situata e krijuar në vend për shkak të motit të keq.
FJALA E PLOTE E TAHIRIT
Ne vazhdojmë aksionin e solidaritetit me banorët që gjenden në vështirësi në zona të përmbytura. E rëndësishme është që këta banorë nuk janë vetëm. Shteti është në krah të tyre, shoqëria është në krah të tyre, për t’i ndihmuar në këto ditë të vështira. Ne po bëjmë çmos që të evidentojmë të gjithë ata që kanë pasur probleme, të evidentojmë zonat e nxehta, t’u gjendemi banorëve pranë, t’i mbështesim me të gjitha mundësitë që ka shteti dhe shoqëria sot. Sepse është shumë e qartë, ne çdo krizë e kalojmë bashkë. Solidariteti njerëzor në këto raste është shumë i rëndësishëm për t’u treguar të gjithë atyre që janë në nevojë se vetëm bashkë mund të përballemi me kriza, siç janë këto të shkaktuara nga moti dhe kapriço të natyrës. Kjo është një zonë që veçanërisht ka pasoja për shkak të përmbytjes, dhe kjo në mënyrë të përsëritur. Ndaj për ne është e rëndësishme që nga njëra anë të ndihmojmë banorët sot, dhe nga ana tjetër me pushtetin vendor dhe të gjitha strukturat shtetërore të shohim mundësinë e investimeve të atilla që përmbytjet këtu mos të përsëriten.
Për ne është e rëndësishme dhe me të gjitha strukturat shtetërore që të bëjmë investime të atilla që përmbytjet këtu të mos përsëriten. Dua edhe njëherë të falënderoj mirëkuptimin e qytetarëve, që gjenden në situata të vështira për shkak të përmbytjes. Por, dua të falënderoj edhe ata që kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të ndihmojnë për ta përballuar të gjithë bashkë këtë situatë të vështirë për ata që janë në nevojë. Dua të falenderoj shoqërinë civile. Dua të falënderoj sipërmarrësit që kanë ndihmuar deri më sot, për ta përballur bashkë me solidaritet dhe me mbështetjen e njëri-tjetrit krizën e familjeve që kanë pasur pasoja veçanërisht të rënda për shkak të përmbytjes. Ne sot po ndihmojmë familjet në këtë zonë me ushqime dhe veshmbathje. Do vazhdojmë në çdo zonë, në çdo cep të Shqipërisë, sepse duhet t’i tregojmë njëri-tjetrit solidaritetin e nevojshëm për të bërë gjithçka është e mundur, të parandalojmë pasojat që kanë pasur familjet për shkak të përmbytjeve. Por, gjithashtu të shohim njëri-tjetrin në sy dhe të bëhemi bashkë për të ndihmuar sa më shumë të jetë e mundur të gjithë ata që kanë sot nevojë më shumë se kurrë. Nga ana tjetër qeveria është e gjitha në këmbë duke monitoruar situatën në të gjithë Shqipërinë për të parandaluar pasoja të veçanta. Ashtu siç po bëjmë që sot një plan të gjerë investimesh për të ardhmen që do sjellë instrumente të atillë që të mos përsëriten më përmbytjet në këtë rajon dhe në të gjithë Shqipërinë.
Pyetje: Kryetari i opozitës, Basha kërkoi të shpallet gjendje e jashtëzakonshme.
Ministri Tahiri: Unë nuk dua të merrem me opozitën. Opozita e ka bërë zakon që të merret me fatkeqësinë e njerëzve, duke u përpjekur të prodhojë politikë mbi kapriçot e natyrës apo mbi fatkeqësinë e njerëzve për çdo lloj arsye. Unë i bëj thirrje opozitës nëqoftëse ka energji pozitive të bashkohet me ne për të ndihmuar qytetarët që sot kanë nevojën tonë. Bashkë me ne është bërë shoqëria civile, bashkë me ne janë bërë sipërmarrës që na kanë ndihmuar për t’iu gjendur pranë banorëve të përmbytur. Unë besoj dhe opozita ka mundësinë të bashkohet me ne dhe të ndihmojmë të gjithë bashkë ata që kanë më shumë nevojë sot.
Faleminderit!
(ed.me/BalkanWeb)
