Moska synon të rrisë efektivitetin e operacioneve të saj ushtarake në Ukrainë, pas më shumë se 10 muajsh, duke emëruar një komandant të ri në krye të trupave të saj.
Sergei Surovikin , i quajtur ndryshe si “Gjenerali Armageddon”, është hequr nga roli i tij si komandant i grupit të forcave të kombinuara për atë që Moska e quan “operacioni i saj special ushtarak”, sipas agjencisë ruse të lajmeve RIA.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov, i cili është kreu i ushtrisë ruse, do të marrë detyrën prej tij. Ndryshimi u njoftua nga ministri rus i mbrojtjes Sergei Shoigu dhe u përshkrua si “një rritje në nivelin e udhëheqjes së operacionit special”.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se emërimet e reja kishin të bënin me “zgjerimin e shkallës së detyrave që zgjidheshin” dhe “nevoja për të organizuar ndërveprim më të ngushtë midis llojeve dhe armëve të trupave”.
Surovikin ka udhëhequr operacionet e Rusisë në Ukrainë për pak më shumë se tre muaj.
Veterani ushtarak ka një reputacion për pamëshirshmërinë dhe brutalitetin, duke udhëhequr ndërhyrjen e Rusisë gjatë Luftës Siriane në 2017. Ai është gjithashtu një aleat kryesor i Yevgeny Prigozhin, themeluesit dhe kreut të grupit të fshehtë mercenar Wagner, i cili ka luftuar në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës.
