Situata e krijuar nga zjarri në territorin e Bashkisë Krujë ka përshkallëzuar, duke detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuimin e menjëhershëm të banorëve të zonës Barabit–Lluban. Vendimi është marrë në zbatim të Ligjit nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, Planit Kombëtar dhe Planeve Vendore të Emergjencave Civile, për shkak të rrezikut të paraqitur nga përhapja e flakëve.
Procesi i evakuimit po zhvillohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut Durrës dhe strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Krujë.
Për largimin e banorëve nga zona e rrezikuar do të angazhohen mjetet dhe strukturat e Bashkisë Krujë, MZSH-së, Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura. Prioritet gjatë evakuimit kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet që ndodhen në zona të izoluara.
Bashkia Krujë ka bërë të ditur se do të garantojë strehimin e përkohshëm të qytetarëve të evakuuar, regjistrimin e tyre, sigurimin e nevojave bazë dhe asistencën shëndetësore. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të Barabit–Llubanit të ndjekin me përparësi udhëzimet e strukturave në terren dhe të bashkëpunojnë gjatë procesit të evakuimit, për të garantuar sigurinë e tyre. Sakaq, raportohet për shpërthime armatimesh.
