Aktori Ilirjan Lluri iu është bashkuar reagimeve për ndarjen nga jeta të Mirush Kabashit.
Teksa kanë luajtur bashkë në filmin ‘Dora e ngrohtë’, aktori që sot jeton në SHBA, kujton përmes një reagimi në ‘Facebook’ kolegun e tij në sheshxhirim.
MESAZHI I LLURI
Lamtumirë Mirush!
Kur u futa në mikrobusin e Kinostudios, grimjerja jonë ishte duke punuar ende me Mirushin. Prit një moment i tha Mirushi dhe duke zgjatur dorën diku poshtë sediljes nxorri një shishe ponçi. Kishin mbetur nja tre gisht pije në fundin e saj. Mirushi i hoqi tapën duke pirë një gllënjkë të mirë. Duke parë sasinë lëngut të mbetur në shishe, i tha grimjeres: tani jam gati. Pas kësaj më zgjati shishen mua. Unë refuzova. Aty mora vesh se gjatë kohës që po bënte grimin dhe po bëhej gati për xhirimin e skenës (ku Mirushi – Bakja është i dehur), ai kishte pirë një sasi të konsiderueshme ponçi. Kot që e le këtë, i tha grimjeria për ta ngacmuar, duke tundur shishen e ponçit. Kaq mjafton i tha Mirushi. Kështu e kam veten në kontroll.
Kjo ishte një pjesë e prapa-kamerës gjatë xhirimit të filmit “Dora e ngrohët” me Mirush Kabashin. Pas dublit të parë, të skenës ku unë e përplas pas Murit, disi me droje se mos e lëndoja vërtetë, ai mu afrua dhe më tha: Ilirjan, përplasëm fort, mos ki merakun tim. Këto ishin dy nga “sakrificat” e një aktori që kërkonte vërtetësinë tek personazhi që luante. Po në jetë ai s’kishte pse ta bënte një gjë të tillë. Ai ishte i vërtetë në ç’do moment të saj. Krahasuar me famën që fitoi si artist, ai mbeti i thjeshtë, model dhe modest. Jeta na afroi pranë edhe në dy momente të tjera: në koncertin me rastin e 80 -vjetorit të lindjes së Kadaresë dhe kur erdhi në Gjirokastër me ç’faqen “Apologjia e vërtetë e Sokratit”. Gjirokastritët e pritën me ovacione interpretimin e tij brilant, ndërkohë që me dhjetra spektatorë pas spektaklit, prisnin në radhë për të pasur një foto me të. Mirushi u nda nga jeta pasi më dhuroi një miqësi që rrallë e gjen në artistë të përmasave të tij. Largësinë e takimeve tona në kohë të ndryshme, e afronte thjeshtësia dhe atmosfera e ngrohtë që ai përcillte përmes fjalës plot shpirt dhe syrit plot dritë.
I lehtë dheu miku im!
Lamtumirë Mirush Kabashi!
(BalkanWeb)
