Të paktën 40 njerëz u vranë dhe dhjetëra u plagosën në një aksident në Senegalin qendror, tha presidenti i vendit.

Presidenti Macky Sall shkroi në Twitter se përplasja ndodhi në fshatin Gnivy, në rajonin Kaffrine, rreth orës 3:30 të mëngjesit.

“Jam thellësisht i pikëlluar nga aksidenti tragjik rrugor në Gniby, i cili shkaktoi 40 të vdekur dhe shumë lëndime të rënda. I shpreh ngushëllimet e mia të përzemërta familjeve të viktimave dhe uroj shërim të shpejtë të plagosurve”, tha Sall.

Ai shpalli tre ditë zie duke filluar nga sot dhe tha se do të mbajë një këshill ndërministror për të diskutuar masat e sigurisë rrugore.

Prokurori publik Cheikh Dieng tha se përplasja ndodhi në Rrugën Kombëtare Nr. 1 kur njëri nga autobusët iu shpua një gomë dhe doli nga rruga, duke u përplasur me një autobus tjetër që vinte nga drejtimi i kundërt. Të paktën 78 persona janë lënduar, disa prej tyre në gjendje të rëndë, tha ai.

Imazhet e përplasjes në mediat sociale tregojnë autobusët e dëmtuar të përplasur me njëri-tjetrin dhe një gjurmë mbeturinash përgjatë rrugës.

Aksidentet e trafikut ndodhin rregullisht në vendin e Afrikës Perëndimore për shkak të rrugëve të këqija, makinave të këqija dhe shoferëve që nuk respektojnë rregullat, thonë vendasit.

Në vitin 2017, të paktën 25 persona humbën jetën kur dy autobusë u përplasën gjithashtu. Shumë nga ata njerëz po shkonin drejt qytetit qendror të Touba për pelegrinazhin vjetor mysliman.

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb