Policia e Bulqizës ka identifikuar dhe arrestuar autorin e një aksidenti rrugor, i cili pasi përplasi një këmbësor, u largua nga vendi i ngjarjes.

Ngjarja ka ndodhur më datë 22.01.2026, në segmentin rrugor Maqellarë–Bulqizë, ku një shtetas, gjatë drejtimit të automjetit, aksidentoi këmbësorin B. P., 72 vjeç, dhe më pas u largua pa i dhënë ndihmë. Si pasojë e aksidentit, i moshuari mbeti i dëmtuar dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve.

Falë veprimeve të shpejta hetimore, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin e automjetit të përfshirë në aksident, si dhe të drejtuesit të tij. Në vijim, specialistët e Policisë Rrugore lokalizuan dhe arrestuan shtetasin A. Sh., 65 vjeç, banues në Maqellarë, i cili dyshohet se ka tentuar t’i shmanget përgjegjësisë penale duke u larguar nga vendngjarja.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb