Ish-deputeti i PS-së, Petro Koçi ka analizuar dhe ‘zbërthyer’ debatet që po ndodhin brenda kampit socialist. I ftuar në News24, përballë gazetares Ola Bruko, Koçi tha se nuk bëhet fjalë për debat real.

Ai komentoi përplasjen ku u përfshi dhe ish-ministrja Elisa Spiropali, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist të shtunën, ndërsa në disa postime në rrjetet sociale, deputetja e PS dha mesazhe të forta.

“Nuk konstatoj debat real, por disa tensione që duhen administruar me pjekuri. Këto mund të jenë zhvillime që të na bëjnë të reflektojnë për vendimmarrjen, për pushtetin e anëtarëve të partisë në këto vendimmarrje. Nuk shoh debat real të brendshëm. Këto shprehin një lloj tensioni që duhen të administrohen me pjekuri. Nervozimi i shfaqur kuptohet se ka lidhje dhe me atmosferën e krijuar. Batutat e shprehura në mbledhje që nuk janë përgënjeshtruar tregojnë një lloj nervozmizmi.

Por nuk përfaqësojnë një debat të vërtetë mbi atë që mund të pretendohet nga jashtë. Ne kemi parë dje një shprehje publike të zonjës Spiropali që është përpjekur të identifikojë disa problematika.

E para, mendoj se është vonë. Por përtej asaj të drejtës për të reflektuar, por duhet të nisë nga një lloj meaculpa, pasi zonja Spiropali nuk ka qenë pa rol në këto vite në PS. Ajo është politikane që ka ecur me progres të jashtëzakonshëm në këto vite, ndaj ka ecur dhe me postet shtetërore. Por kur vjen fjala te PS, të gjithë kanë një lloj gishti te ajo që ka ndodhur, por duhet qasje konstruktive për të identifikuar problemin. Duhet takti i duhur ndonjëherë për të mos krijuar keqkuptime”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb